Disa fakte mbi rëndësinë e liqenit të Ujmanit për shtetin e Kosovës

Liqeni i Ujmanit (Gazivodës) gjendet në territorin e Republikës se Kosovës dhe është ndërtuar me fonde të Buxhetit të Kosovës. Liqeni i Ujmanit vlerësohet një ndër pasuritë e Kosovës, i cili shtrihet në veri-perëndim të vendit, konkretisht në Komunën e Zubin Potokut, komunë kjo e banuar më shumicë serbe. Penda e Ujmanit është ndërtuar midis viteve 1979-1984.

Liqeni i Ujmanit është më i madhi në Kosovë me sipërfaqe prej 11.9 kilometra katrorë dhe 370 milionë kub ujë. Hidrocentrali prodhon 35 megawatt për orë energji elektrike, kurse kanali Ibër Lepenc është 49 kilometra i gjatë.

Uji nga ky liqen artificial përdorët për ftohje të termocentraleve në Obiliq, për furnizim me ujë për disa komuna si dhe për ujitje në disa rajone të Kosovës. Në rast të thatësisë si ajo e vitit 2014 uji nga Ujmani përdoret për mbushje të dy liqeneve afër Prishtinës, atij të Batllavës dhe Badovcit.

Ky liqen menaxhohet nga ndërmarrja hidroekonomike “ Ibër Lepenc” me seli në Prishtinë, në pronësi të Qeverisë së Kosovës. Në anën tjetër, në Zubin Potok ka një ndërmarrje në pronësi të Serbisë e cila quhet “Ibar” dhe është themeluar në vitin 2002. /Buletini Ekonomik/

Lini një koment!