Këto janë projektet që dalin pas marrëveshjes Kosovë-Serbi

0
2

Autostrada dhe hekurudha nga Prishtina deri në Merdare, si dhe fillimi i fizibilitetit të linjës hekurudhore deri në detin Adriatik në Shqipëri janë vetëm disa projekte që sipas Qeverisë së Kosovës kanë dalë nga marrëveshja e nënshkruar dje për normalizim ekonomik në Washington në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria ka njoftuar se kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti me bashkëpunëtorë takoi Kryeshefin e Korporatës Amerikane për Financim Zhvillimor, z. Adam Boehler, ku Hoti prezantoi projektet e miratuara në marrëveshjen me Presidentin Trump, por gjithashtu edhe projekte tjera zhvillimore.

Në komunikatën e Qeverisë, projektet e miratuara të cilat do të përkrahen nga Korporata, janë autostrada dhe hekurudha nga Prishtina deri në Merdare, si dhe fillimi i fizibilitetit të linjës hekurudhore deri në detin Adriatik në Shqipëri.

Përpos projekteve të miratuara në marrëveshje, u diskutuan edhe projekte tjera zhvillimore, si Brezovica dhe Stacioni Multimodal.

Sipas komunikatës Kryeshefi Boehler dhe Kryeministri Hoti, u dakorduan që projektet e miratuara dhe projektet tjera potenciale, të fillojnë së realizuari në kohë rekorde.

Projektet e miratuara në kuadër të marrëveshjes, si dhe investimet e Korporatës MCC, në linjën e gazsjellësit dhe rrjetit të gazsjellësit në Kosovë, sipas Qeevrisë së Kosovës, paraqesin projekte që do të ndryshojnë mënyrën e të bërit biznes dhe do të hapin mundësi tjera zhvillimore për vendin.