Plani 5-vjeçar për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria do të fillojë në muajin shtator zbatimin e planit pesëvjeçar të rimëkëmbjes ekonomike. Vlera e këtij plani do të jetë 6 miliardë euro. Kurse ekonomistët e Kosovës bënë të ditur se shtatori do të jetë më i vështirë sa i përket ekonomisë.

Pandemia e koronavirusit që ka prekur prej disa muajsh botën, ka goditur fort edhe Kosovën. Ekonomia e shtetit, që tashmë ka mbushur 12 vjet, ka rënë për tokë. Shumë vende të punës kanë humbur, janë mbyllur biznese. Kanë vdekur edhe qindra njerëz nga virusi.

Qeveria po përpiqet ta bëjë rigjallërimin e ekonomisë duke investuar 6 miliardë euro. Shefi i Qeverisë, Avdullah Hoti, është zotuar se në muajin shtator do të nisë plani për draftimin e një strategjie të re për rimëkëmbjen ekonomike Sipas tij, në situatën e krijuar prej pandemisë, vendi ka nevojë për një plan afatgjatë për rimëkëmbjen ekonomike.

“Ne edhe ashtu kemi pasur në plan që në shtator të fillojmë draftimin e strategjisë së re zhvillimore për Kosovën, por tani jemi të nxitur dhe të shtyrë nga nevoja që kemi për të ofruar një plan afatgjatë të rimëkëmbjes ekonomike, sepse është më se e qartë se do të përballemi me probleme të rimëkëmbjes ekonomike, jo vetëm gjatë këtij viti, por edhe vitin e ardhshëm, e përtej saj”, tha Hoti.

Hoti ka thënë se kjo strategji zhvillimore parasheh një periudhë 5- vjeçare në vlerë deri 6 miliardë euro. “Kjo nënkupton një strategji zhvillimore 5-vjeçare, që shkon deri në 6 miliardë euro”, është shprehur Hoti, në takimin e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime.

Në takimin e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, Hoti është shprehur se pakoja për rimëkëmbjen ekonomike do të implementohet, me përfshirjen e plotë të këtij këshilli.

“Kjo është mbledhja e parë ku do t’i trajtojmë disa çështje. Ky takim vjen si vazhdimësi e konsultimeve të rregullta që Qeveria ka pasur me partnerët e përfshirë në Këshillin Ekonomik. Ne si qeveri e kemi si pjesë të programit pakon e masave të rimëkëmbjes ekonomike dhe me rishikimin e buxhetit e kemi krijuar fondin për rimëkëmbje ekonomike. Tash në periudha afatshkurtër do të punojmë bashkë me ju që të implementojmë këtë pako për rimëkëmbje ekonomike. Dëshiroj t’ju garantoj se do jeni të përfshirë në zbatimin në praktikë të pakos ekonomike”.

Kuvendi i Kosovës nuk arriti të votojë një Projektligj të hartuar nga Qeveria për mbështetje ekonomike të bizneseve që po përballen me probleme, për shkak të masave kundër pandemisë COVID-19. Projektligji parashihte, mes të tjerash, futjen në treg të një shume prej rreth 1 miliardë e 200 milionë eurosh.

Plani

Ne edhe ashtu kemi pasur në plan që në shtator të fillojmë draftimin e strategjisë së re zhvillimore për Kosovën, por tani jemi të nxitur dhe të shtyrë nga nevoja që kemi për të ofruar një plan afatgjatë të rimëkëmbjes ekonomike, sepse është më se e qartë se do të përballemi me probleme të rimëkëmbjes ekonomike, jo vetëm gjatë këtij viti, por edhe vitin e ardhshëm, e përtej saj”

Shtatori do të jetë i vështirë

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se muaji shtator do të jetë më i vështirë për ekonominë, dhe se mjetet e Trustit duhet të shfrytëzohen. Rukiqi kërkoi miratimin sa më të shpejtë të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Ai ka thënë se ky ligj është i domosdoshëm të miratohet në mënyrë që të rritet efikasiteti për menaxhimin e ekonomisë në këtë kohë pandemie.

“Ligji për rimëkëmbjen ekonomike ka të njëjtën rëndësi me ligjin për pandeminë. Problemi kryesor i pakos emergjente qëndron te mungesa e efikasitetit, pra vendosja e parasë në kohën e duhur. Ne mendojmë që mjetet e Trustit duhet të jenë në dispozicion të qytetarëve. Në secilën, shumë qytetarë janë të gatshëm ta tërheqin dhe shfrytëzojnë, pra është diçka e domosdoshme”.

Rukiqi ka shtuar se është më mirë që të shfrytëzohen paratë e Trustit, dhe qytetarët të tërheqin, sado që kanë mundësi, nga ky fond. “Mjetet e Trustit është mirë që t’i shfrytëzojnë ata qytetarë që kanë mundësi. Të gjithë qytetarët janë të gatshëm ta heqin dhe ta shpenzojnë, 50, 100, 1000 sa të jetë nevoja”, ka thënë ai.

Rukiqi ka thënë se deri në nëntor paratë e Pakos Emergjente të futen në treg.

E ardhmja

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, gjatë një takimi virtual me zëvendëskryeministrin Besnik Tahiri, ka diskutuar për të ardhmen e ekonomisë së Kosovës, me theks të veçantë në rimëkëmbjen nga pandemia COVID-19.

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Tahiri, bëri të ditur nivelin e dëmeve që pandemia COVID-19 ka shkaktuar mbi funksionimin e shtetit në përgjithësi, si dhe ndikimin negativ mbi sferën e shëndetit publik dhe atë të ekonomisë.

Sipas zëvendëskryeministrit, problemi kryesor me të cilin janë ballafaquar deri më tani ka qenë sigurimi i buxhetit të mjaftueshëm për të mbyllur hendeqet e ndryshme dhe rënien drastike të të hyrave shtetërore, ku ai shtoi se brenda strategjisë për rimëkëmbje ekonomike tanimë janë miratuar fonde specifike për qasje në financa për të gjitha palët e goditura.

“Tani jemi në muajin gusht, dhe synimi ynë është që në këta dy muaj në shtator dhe tetor, me kalimin e Ligjit për Rimëkëmbje të ndihmojmë sa më shpejt dhe në mënyrë sa më efikase mbi bazën e parimeve dhe vendimeve që i kemi marrë, disbursimin e mjeteve tek sektori privat por dhe te skemat sociale”.

Kryesuesit e komiteteve dhe anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane u shprehën se, pavarësisht që shuma monetare e pakos së rimëkëmbjes është më modeste kundrejt asaj që është pritur, kërkohet që me urgjencë të nisë zbatimi i pakos së masave të rimëkëmbjes.

Ata u bënë thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që me procedurë të shpejtë të miratojnë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, si dhe projektligjet e tjera të natyrës ekonomike.

Javën e kaluar ka dështuar për herë të dytë votimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike. Nga 90 deputetë të pranishëm në sallë, votuan vetëm 45 deputetë. Këtë Projektligj nuk kanë votuar sërish Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Kërkohet urgjencë

Kryesuesit e komiteteve dhe anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane u shprehën se, pavarësisht që shuma monetare e pakos së rimëkëmbjes është më modeste kundrejt asaj që është pritur, kërkohet që me urgjencë të nisë zbatimi i pakos së masave të rimëkëmbjes. Ata u bënë thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që me procedurë të shpejtë të miratojnë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, si dhe projektligjet e tjera të natyrës ekonomike.

Lini një koment!