Sa biznese u shuan në Kosovë gjatë pandemisë?

Këtë vit, 576 biznese kanë aplikuar për shuarje të biznesit. Kjo shifër është më e ulët se vitin paraprak, ku 891 biznese e kishin kërkuar një gjë të tillë.

Situata pandemike nuk i ka ndaluar që të hapin biznese, ku në periudhën janar-korrik u regjistruan 4436, sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë.

“Në vitin 2020, në 6-mujorin e parë janë regjistruar gjithsej 4346 biznese. Në vitin 2019, në 6-mujorin e parë janë hapur gjithsej 5106 biznese, kurse, në vitin 2020, në 6-mujorin e parë janë shuar gjithsej 576 biznese, ndërsa, në vitin 2019, në 6-mujorin e parë janë shuar gjithsej 891 biznese”, thuhet në përgjigjen me shkrim për KP.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka thënë se hapja apo mbyllja e bizneseve është dukuri që përcillet pavarësisht pandemisë. Ai thotë se deri në fund të këtij viti të ketë rezultate më negative.

“Deri në fund të vitit do të kemi rezultate shumë më negative të cilat përshkruajnë një gjendje të mjerueshme ekonomike në Kosovë”, thotë ai, duke shpresuar në mbështetjen e Qeverisë për bizneset.

Ndërsa, profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, ka thënë se pandemia ka ndikuar në mbylljen e bizneseve sepse është rritë pasiguria edhe për bizneset që happen dhe për investime të bizneseve të reja.

“Nga bizneset që i kemi anketuar, kanë qenë 35 prej tyre më të rëndësishme të Kosovës të cilat kanë pasur në plan të investojnë afër 50 mijë deri në 3 milionë euro, por të gjitha i kanë ndërprerë investimet për një kohë”, tha ai.

Lini një koment!