​Shteti nuk informon personat e shurdhër rreth masave anti-COVID

Gati 10 mijë persona që nuk dëgjojnë fare ose kanë vështirësi në dëgjim, kanë mbetur pothuajse të painformuar rreth masave kundër COVID-19. Mungesa e interpretimit të gjuhës së shenjave në paraqitjet e Ministrisë së Shëndetësisë ka bërë që personat e shurdhër të ndjehen të diskriminuar. Ata po kërkojnë të kenë qasje në informacione, sidomos në këtë periudhë të pandemisë.

Rreth të rejave me situatën e krijuar nga koronavirusi, kjo kategori është informuar vetëm përmes faqes së shoqatës në platformën online, me video të krijuara nga vet ata.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës Kosovare të personave të Shurdhër, Enver Kurtalani në një intervistë për KosovaPress, thotë se ky komunitet është përballur me vështirësi gjatë gjithë kohës prej kur është përhapur koronavirusi.

Reklama e sponzorizuar

“I kemi lajmet që janë në RTK, janë pak. Ne kërkojmë që të kemi qasje direkte gjatë paraqitjes së ministrisë. Prej fillimit e deri tash, ministritë ose institucionet përkatëse nuk kanë pasur interpret të gjuhës së shenjave gjatë paraqitjes së tyre. Edhe tani kur e kemi ligjin anti-COVID, personat e shurdhër nuk e dinë, edhe me u dënu, ata nuk e dinë me cilin ligj. Ne jemi munduar si shoqatë me i dhënë informacionet nëpërmjet facebook dhe webfaqës sonë, por ministria e ka përgjegjësi ose Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike që t’i informojë këta 9500 persona”, thotë ai.

Ai thotë se kanë dërguar kërkesa në Ministri të Shëndetësisë, por që nuk kanë marrë ndonjë përgjigje deri më tani, pwr çka shton se po ndjehen tw diskriminuar.

“Kjo është një formë diskriminimi, sepse nuk na është ofruar qasja direkte në informacione sidomos kur ka të bëjë me shëndetin publik të qytetarëve, dhe parandalimin e pandemisë. Asnjëherë nuk kemi parë të kenë ndonjë interpret të gjuhës së shenjave që t’u japin akses këtyre personave kur e dimë që shumica prej tyre nuk dinë shkrim-lexim dhe është detyrë e qeverisë që kjo të ofrohet”, thotë ai.

Në Kosovë janë rreth pesë mijë persona të shurdhër dhe rreth 4 mijë e 500 të tjerë me dëmtime në dëgjim.