Fillon prodhimi i 30 milionë dozave të vaksinës së Oksfordit

Gjiganti farmaceutik, AstraZeneca, tashmë e ka filluar prodhimin e 30 milionë dozave të vaksinës kundër koronavirusit, të cilat i ka porositur qeveria britanike. Kjo vaksinë është duke u zhvilluar në bashkëpunim me shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit.

Vaksina ende nuk është miratuar për përdorim dhe është duke iu nënshtruar testimeve në Britani të Madhe, Brazil dhe Afrikë Jugore. Megjithatë, drejtori i Grupit të Oksfordit për Vaksina, Andrew Pollard, tha muajin e kaluar se është e mundur të që sigurohen të dhëna klinike të mjaftueshme për t’i dorëzuar te rregullatorët gjatë këtij viti.

Sekretari për Shëndetësi, Matt Hancock, tha se prodhimi i vaksinës së AstraZenecas tashmë ka filluar, ndonëse nuk është dhënë ndonjë miratim për përdorimin e saj, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Reklama e sponzorizuar

“Ne tashmë i kemi 30 milionë doza të kontraktuara me AstraZenecan, në fakt ata kanë filluar t’i prodhojnë këto doza tashmë, para miratimit dhe nëse miratimi vjen, atëherë ne jemi të gatshëm ta nisim shpërndarjen”, tha ky zyrtar.

“Skenari më i mirë është që kjo të ndodhë këtë vit. Mendoj se ka më shumë gjasa që të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm, në muajt e parë të vitit të ardhshëm”, shtoi Hancock.