Punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit kërcënojnë me protestë nëse s’marrin 300 eurot shtesë

Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Sektorit Privat ka paralajmëruar se punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit do të mbajnë një grevë 1-orëshe, ditën e premte, për shkak të mospërfshirjes së tyre në masën stimuluese prej 300 eurove, sikurse punëtorët shëndetësorë.

Nëse kërkesa për përfshirje të tyre në këtë masë nuk merret parasysh, kryetari I Sindikatës, Jusuf Azemi, ka thënë se veprimet e tyre sindikale do t’i radikalizojnë.

“Në këtë javë do të fillojmë më protesta, ndoshta edhe me veprime të tjera pas kërkesave që u kemi bërë kryeministrit, ministrit të Financave, ministrit të Shëndetësisë. Kemi bërë kërkesë që edhe punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit duhet të stimulohen më shtesën 300 euro, ashtu siç stimulohen edhe mjekët”, ka theksuar Azemi.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka thënë se nga ora 13:00 deri në 14:00 të premten, këta punëtorë nuk do të kryejnë shërbime në Qendrat Spitalore, Qendrat e Mjekëseve Familjare dhe në Ambulanca.