Sivjet 54 milionë euro më shumë investime të huaja se në 6 muajt e parë të 2019’s

Situata me pandeminë COVID-19 nuk ka ndikuar te investitorët e huaj. Madje, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, investimet e huaja janë rritur për miliona euro. Në Bankën Qendrorë të Kosovës kanë treguar se sa është vlera e investimeve gjatë këtij viti dhe sektorët ku është investuar më shumë.

Zëdhënësi i BQK’së, Kushtrim Ahmeti i ka thënë Gazetës Express se krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, investimet janë rritur për 54 milionë euro.

Edhe këtë vit më së shumti investime kanë ardhur nga Gjermania, Austria dhe Zvicra.

Reklama e sponzorizuar

“Ju njoftoj se vlera e investimeve direkte (ID) në gjashtë muajt e parë të këtij viti (janar – qershor 2020) arriti në shumën prej 164.6 milionë euro. Kjo shumë e investimeve është për 54 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit 2019, ku vlera e ID-ve ishte 110.8 milionë euro. Më së shumti investime kanë ardhur nga shtetet gjermano-folëse (Gjermania, Austria, Zvicra), të përcjella nga Shqipëria, Hungaria, ShBA, Sllovenia etj”, ka deklaruar Ahmeti.

E sektorët ku kanë investuar më shumë janë ai i patundshmërisë, shërbimeve financiare dhe energjetikë.

 “Sa i përket sektorëve ku janë investuar më shumë janë bërë në sektorin e patundshmërisë, shërbimeve financiare dhe në energjetikë. Gjatë gjashtë muajve të parë 2019 ID-të kanë qenë 110.8 milionë euro, kurse gjatë 12 muajve të 2019 ID-të ishin 271.8 milionë euro”, thuhet në përgjigjet e Ahmetit drejtuar Gazetës Express.

Por, për Kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqin, kjo nuk është ndonjë shifër e madhe e investimeve.

“Nuk është ndonjë shifër e madhe. Pra, nuk është ndonjë shifër që e bën diferencën sepse nuk është që janë bërë investime të mëdha. Investimet janë kryesisht në patundshmëri dhe energji të ripërtritshme”, ka thënë Rukiqi për Express.

Ndryshe, bazuar në në statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës, vendi nuk po i tërheq më investitorët e huaj sikurse dikur.

Përderisa në vitin 2007’të, vlera e investimeve të huaja kapte një shifër prej 440 milionë euro, tash mezi e kalon 200 milionëshin.

Sipas njohësve të ekonomisë, arsye për rënien e investimeve është situata politike në vend dhe ciklet e shpeshta zgjedhore gjatë viteve të fundit.