Nafta zgjeron humbjet

Nafta po qëndron në rënie të konsiderueshme në sesionin e sotëm, për shkak të shqetësimeve mbi rritjen e numrit të të prekurve me Covid-19, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rastet e reja me koronavirus u rritën në 22 nga 50 shtete amerikane, ndërkohë që numri mund të rritet edhe më tej, për shkak të fundjavës së zgjatur me rastin e Ditës së Punës në SHBA. Tradicionalisht, njerëzit mblidhen pranë të afërmve të tyre, për të shënuar fundin e stinës së verës dhe të sezonit të pushimeve.

Gjithashtu, rritje e infektimeve është vënë re në shumë vende të botës, sidomos në Indi dhe Britani. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 37.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 40.5 dollarë për fuçi. Gjithashtu, çmimet po gjenden nën presion pasi Arabia Saudite, që është eksportuesi më i madh i naftës në botë, uli çmimin zyrtar të shitjes së naftës bruto në Azi. Kjo është parë nga investitorët si një shenjë e kërkesës së dobët. Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara pritet të fillojë sezoni i mirëmbajtjes së rafinerive, që mund ta rrëzojë përkohësisht kërkesën me rreth 2 milionë fuçi në ditë./Scantv/