“Jemi pranë falimentimit”, fermerët e qumështit kërcënojnë qeverinë me protesta

Shoqata e Fermerëve Kosovar të Qumështit, i ka dërguar një letër kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, lidhur me sfidat që po përballet ky sektor.

Në letrën drejtuar kryeministrit, Shoqata e Fermerëve thekson se janë para falimentimit total. Kurse, ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa ka premtuar mbështetje.

“Duam të ju informojmë se gjendja jonë tashmë është e padurueshme dhe ne ndodhemi para falimentimit total”, kështu nis letra e Shoqatës së Fermerëve Kosovar të Qumështit, që ia kanë dërguar kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, lidhur me sfidat që po përballet ky sektor.

Reklama e sponzorizuar

Qumështarët e Kosovës kanë treguar se nga dita e hënë do të nisin edhe protestat.

“I nderuar Kryeministër pasi që nuk po shohim asnjë zgjidhje tjetër ju njoftojmë se nga data 14/09 /2020 ne do të fillojmë protesta masive me të gjitha mjetet e lëvizshme bujqësore. Protesta do të shoqërohet me derdhjen e përditshme të rreth 50 -60 tonëve Qumësht i cili nuk po grumbullohet tashmë një kohe. Protestat do të jenë 24 orë dhe fillimisht do të ketë në Prishtinë mandej në të gjitha komunat e Kosovës e pastaj edhe tek importuesit dhe përpunuesit vendor që përdorin vajin e palmës”.

Tutje në këtë letër ata kanë thënë se janë viktima të ligjit të Kosovës.

“Ne mbi te gjitha jemi viktima të mosfunksionimit te ligjit. Pa ligj importohet dhe Pa ligj prodhohet tash e sa vite. Informacionet që ju kemi dërguar përmes Ministrive te caktuara na bëjnë të sigurt se ju keni qenë të informuar me kohë për vështirësitë nëpër të cilat po kalojmë ne. Fatkeqësisht, ashtu sikurse Qeveritë e mëhershme as ju nuk e patë të udhës që të ndërmerrni asnjë masë mbrojtëse për prodhuesit e Qumështit të cilët tash e sa vite kanë probleme të mëdha”.

Ata kanë treguar në fund se do të mbrojnë me çdo çmim atë që e kanë krijuar me mund dhe sakrificë.

E ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë të ditur se po punohet intensivisht drejt tejkalimit të sfidave me të cilat po ballafaqohet sektori i qumështit në vendin tonë si rezultat i pandemisë COVID-19.

“Prodhuesit dhe përpunuesit kosovar të qumështit janë ndër bujqit më të zellshëm në vendin tonë që me përkrahjen e institucioneve vendore dhe ndërkombëtarë kanë ndërtuar kapacitete prodhuese dhe përpunuese për të shërbyer qytetarët kosovar me qumësht dhe produkte të qumështit, thuhet në komunikatë.

MBPZHR siguron qumështarët se do të jetë vazhdimisht pranë tyre edhe në këto kohëra të vështira të pandemisë, për t’i ndihmuar në tejkalimin e sfidave me mundësitë financiare në dispozicion.