Bankat në Kosovë gjatë korrikut kanë miratuar mbi 180 milionë euro kredi – vlera më të lartë që prej krijimit të sistemit bankar në vend

0
2

Në bazë të dhënave të raportuara për periudhën e fundit të muajit korrik 2020, niveli i kredive të reja të aprovuara vetëm për këtë muaj ka shënuar vlerën prej 181.5 milionë euro.

Sipas Shoqatës së Bankave të Kosovës, kjo është vlera më të lartë që prej krijimit të sistemit bankar në vend.

“Gjashtë mujori i parë i vitit 2020 ka rezultuar të jetë me sfida të mëdha nga goditja e rëndë e pandemisë COVID-19, duke rezultuar në pasoja të mëdha si për shëndetin e njerëzve ashtu edhe për sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Qëllimi i sektorit bankar është që të vazhdoj të kreditoj ekonominë e Kosovës duke i mundësuar bizneseve dhe ekonomive familjare që të kenë qasje në financa në këto rrethana kur kërkohet më shumë likuiditet për ekonominë e Kosovës”, tha kryeshefi ekzekutiv i SHBK-së, Petrit Balija.

Shoqata thotë se, të dhënat e fundit tregojnë që krahas kreditimit të lartë bankat kanë aprovuar, po ashtu një numër të konsiderueshëm të aplikacioneve për shtyrjen e pagesave të kredive në vlerë prej 1.5 miliard euro kështu duke krijuar fleksibilitetin e nevojshëm në ekonomi gjatë kësaj periudhe.
Norma mesatare efektive e interesit për kredi ka shënuar rrënje të dukshme në vitet e fundit duke arritur në 6.2 për qind, normë kjo që është në mesataren e rajonit.

Në fund, Shoqata e Bankave të Kosovës ka bërë të ditur se mirëpret aprovimin e Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike dhe apelon tek Kuvendi i Kosovës që sa më shpejtë të miratoj këtë Ligj. /Telegrafi/