Hapja e kufirit Kosovë-Maqedoni, javën tjetër merret vendimi

Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë diskutuar në Shkup gjendjen epidemiologjike me sëmundjen COVID-19, si dhe mundësinë e lehtësirave për lëvizjen e qytetarëve jo vetëm mes dy vendeve, por edhe më gjerë në rajon.

Siç bënë të ditur ministrat e Shëndetësisë të të dyja vendeve, Venko Filipçe dhe Armend Zemaj, vendimi përfundimtar nëse do të ketë lehtësira, do të merret javën e ardhshme, pasi grupet e punës të shqyrtojnë gjendjen epidemiologjike në gjitha vendet e rajonit.

Ministri Filipçe nuk e ka përjashtuar mundësinë që të aplikohen teste në pikat kufitare apo edhe lehtësira tjera pasi, siç tha, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë thuajse situatë të njëjtë epidemiologjike.

“Ekzistojnë më shumë mundësi, tani kemi edhe teste ultra të shpejta për udhëtarët që mund të zgjasin jo më shumë 10-15 minuta. Mendoj se ne kemi gjendje epidemiologjike thuajse të njëjtë dhe se ndoshta kufiri i mbyllur në njërën anë apo testet PCR në anën tjetër, mund të mos jenë të mjaftueshme, andaj vlerësoj se duhet të bisedohet edhe për modele tjera të mundshme. Sidoqoftë, gjithçka do të dihet javën tjetër pas takimeve të grupeve të punës”, ka deklaruar Filipçe.

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, gjendjen epidemiologjike në Kosovë e vlerësuar si shumë të mirë, andaj edhe ka theksuar nevojën për lehtësira gjatë kalimeve kufitare.

“Gjatë kësaj jave dhe javës tjetër do të kemi raporte të detajuara për gjendjen epidemiologjike, kështu që do të kalojmë edhe në nivel qeveritar të marrjes së vendimit për lëvizjen e lirë mes dy vendeve, por edhe në rajon. Pjesa tjera ndërlidhet me aspektin profesional të kërkesës për testime, qoftë apo molekulare apo serologjike. Por, insistimi ynë është që gradualisht me përmirësimin e gjendjes ta lehtësojmë edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave, bizneseve apo çfarë do nevoje mes dy vendeve tona”, ka deklaruar Zemaj.

Autoritetet e dy vendeve, për shkak të pandemisë kanë vendosur kufizime për lëvizjen e qytetarëve duke lejuar qarkullimin vetëm me test negativ PCR, jo më të vjetër se 72 orë. Kjo vlen edhe për kalimet transit mes dy vendeve. Dy vendet, lëvizje të lirë aktualisht kanë vetëm me Shqipërinë.

Në takimin mes dy ministrave është diskutuar edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve në sferën e shëndetësisë, por edhe mundësinë që dy shtetet të aplikojnë bashkërisht për projekte të Bashkimit Evropian.

“Kemi biseduar edhe për shkëmbim të përvojave në pjesë të veçanta të mjekësisë dhe të fakulteteve të mjekësisë, të specializimeve dhe subspecializimeve, por edhe të aplikuar bashkërisht në projekte të Bashkimit Evropian. Ne si dy vende fqinje, vende mike jemi këtu që të ndihmojmë njëra tjetrën, të mbështetemi. Vlerësojmë se ky shembull i bashkëpunimit shikuar në prizmin e krizës me pandeminë mund të shërbej si shembull për nivelin që komunikimit që duhet të kemi”, ka deklaruar Filipçe.

Maqedonia e Veriut aktualisht ka 15.293 persona të diagnostikuar me COVID-19, prej tyre 12.754 janë shëruar, 634 kanë vdekur, kurse 1905 persona ende janë aktiv. Në nivel të shtetit janë kryer 160.180 teste.

Lini një koment!