Me paratë e korrupsionit në Kosovë po blihen patundshmëri në bregdetin shqiptar

Investimet në ndërtim dhe pasuri të paluajtëshme kanë një histori të gjatë të thithjes së fondeve të paligjshme në vendet e Ballkanit perëndimor, duke qenë se ky sektor përbën një përqindje të madhe të ekonomisë së këtyre vendeve dhe nuk kontrollohet sa duhet.

Sipas një raporti të Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar me titull: Prurjet Financiare të Paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, në Kosovë, sektori i ndërtimit dhe pasurive të paluajtëshme ka një xhiro vjetore prej rreth një miliardë euro në vit, që përfaqëson rreth 8.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Sipas këtij raporti, 350,000 ndërtime të pasluftës vazhdojnë të jenë pa leje ndërtimi dhe legalizim,dhe është diçka e zakonshme për kosovarët që të mos kenë dokumente pronësie mbi apartamentet e tyre

Identifikimi i kompanive ndërtimore nga strukturat kriminale

Sektori i ndërtimit në të tre vendet, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut, është veçanërisht i ekspozuar ndaj pastrimit të parave nga vetë mënyra e strukturimit të tij.
Së pari, në ndërtimet e reja klientëve u kërkohet gati gjithmonë që të parapaguajnë për hapësirën që do të zënë ambientet e tyre, dhe shitet që përpara se të fillojë ndërtimi.
Ky sektor vazhdon akoma të jetë i varur nga pagesat me para në dorë, dhe agjencitë e pasurive të paluajtëshme në Shqipëri raportojnë se 40–50 për qind e të gjitha shitjeve kryhen me para në dorë, bëhet e ditur në raport.

“Edhe në rastet kur shitja mbështetet nga marrëveshje financiare, është e rrallë që këto të vijnë nga banka apo institucione të tjera financiare, por janë kredi private të lëshuara nga sipërmarrje të tjera komerciale. Edhe sistemi i shkëmbimit në natyrë përdoret nganjëherë në ndërtimet e reja, ku materialet e ndërtimit shkëmbehen me apartamente të përfunduara”, potencohet në raport.

Për të organizuar sistemin e pastrimit të parave, sipas këtij raporti ndërkombëtar,  grupet kriminale identifikojnë kompani ndërtimi apo njerëz të biznesit në situata të vështira financiare, që kanë akumuluar borxhe apo kanë kredi për të kthyer.

“U jepen shuma të mëdha parash për t’i investuar në projekte ndërtimi dhe blerje aprtamentesh, nëpërmjet një marrëveshjeje informale (dhe zakonisht përdoret si garanci kërcënimi i përdorimit të dhunës) që apartamentet t’i kthehen mbrapsht grupit kriminal pas përfundimit të projektit”.

Një mënyrë tjetër është përdorimi i parave të pista për të blerë aksione në një kompani ndërtimi në këmbim të apartamenteve pas përfundimit të ndërtimit. Manipulime me deklarimin e vlerës së apartamentit, apo projektit të ndërtimit, lejon që të pastrohen akoma më shumë fonde.

Politikanët kosovarë të lidhur me kompanitë ndërtimore

Në Kosovë, ndërtimi është përqendruar në qytetet e Prishtinës, Prizrenit, dhe Ferizajt, por edhe Fushë- Kosova, Lipjani, dhe Gjilani kanë regjistruar rritje të ndjeshme.
Ka të dhëna se punëtorët në kantieret e ndërtimit nuk kanë kontrata pune – dhe për pasojë nuk kanë burime zyrtare të të ardhurave – por depozitojnë shuma të mëdha në llogaritë e tyre bankare, gjithmonë nën kufirin e raportimit prej 10,000 euro.

Disa kompani ndërtimi duket se janë në pronësi të familjarëve apo personave të afërt me politikanë të fuqishëm. Disa nga këto kompani e nisën aktivitetin në sektorët e infrastrukturës, apo produkteve të naftës, por më pas u orientuan drejt një sektori tjetër kur iu akorduan kontrata të majme me fonde publike.

Edhe politikanë kosovarë mendohet se i investojnë fitimet e tyre nga ryshfete e korrupsioni në pasuri të paluajtëshme në bregdetin shqiptar

Ndonëse këto biznese janë bërë objekt i inspektimeve të shumta nga Administrata Tatimore e Kosovës, në lidhje me dyshime për evazion fiskal, mbrojtja politike shpesh i ndihmon këto biznese që t’i shmangen drejtësisë.

Aktivitetet e pastrimit të parave bëhen të mundura edhe nga mangësi në procedurat e regjistrimit të kompanive për hapjen e një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar (SHPK). Për shembull, një kompani biznesi SHPK mund të regjistrohet me kapital fillestar prej 1,000 eurosh, apo edhe më pak. Pas regjistrimit, pronari mund të investojë shuma të mëdha në biznes, pa deklaruar fare se nga kanë ardhur këto para. Këto investime trajtohen si shpenzime legjitime, dhe shpesh përjashtohen edhe nga pagimi i taksave, dhe inspektorët tatimorë nuk hetojnë mbi origjinën e tyre. /Frontonline/

Lini një koment!