Kosova humb miliona euro nga përdorimi i valutës serbe

Përdorimi i dinarit serb në veri por edhe në zonat tjera të vendit, po i shkakton dëme buxhetit të shtetit të Kosovës miliona euro, pasi shitjet që bëhen përmes kësaj valute nuk deklarohen në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).

Derisa Kushtetuta e Kosovës përcakton euron si valutë zyrtare, ekspertët vlerësojnë si shumë të dëmshëm në aspektin ekonomik dhe antikushtetues e ilegal përdorimin e dinarit.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Nysret Maxhera, ka bërë të ditur se përdorimi i dy valutave brenda një shteti, rrënon sistemin financiar dhe ekzistues të atij vendi.

Reklama e sponzorizuar

Ai pranoi se Kosova humb miliona euro nga përdorimi i dinarit, derisa nuk gjeti shprehje për të shpjeguar siç tha ai, këtë të keqe që po i ndodhë shtetit të Kosovës.

“Në një shtet nuk mund të ketë dy valuta sepse nëse funksionon edhe një valutë tjetër, kjo ka ndikim jashtëzakonisht të madh në rrënimin e sistemit financiar dhe direkt apo indirekt në rrënimin e sistemit ekonomik ekzistues të një vendi…Dinari hyn në mënyrë ilegale, nuk paraqitet jo vetëm në ATK, por në mjetet e këmbimit të shitblerjes, të pagesave të pensioneve, ndihmave sociale të cilat Serbia gjithmonë i bënë pagesat me dinarë.

Është për keqardhje se në kilometrin e katërt nga qendra e Prishtinës, ku kemi qeverinë dhe të gjitha organet tjera shtetërore që duhet të jenë funksionale, mjet pagese është dinari…Ne kemi ardhur në një situatë ku nuk mund të bëhet një bilanc i saktë i humbjeve, por sigurisht që këto humbje janë me miliona…Nuk kam fjalor me shpjeguar këtë të keqe e cila i ndodhë Republikës së Kosovës me çështjen e funksionimit si mjet pagese të dinarit të Serbisë”, ka thënë Maxhera.

Ai shtoi se kjo çështje duhet patjetër të jetë një prej temave që duhet trajtuar në bisedimet të cilat po zhvillohen mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike, avokati Musa Damati, thotë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, përkatësisht neni 11, paragrafi 1, përcakton euron si valutë zyrtare në Kosovë.

Sipas tij, derisa nuk ekziston ndonjë marrëveshje reciproke bilaterale midis dy shteteve, qarkullimi i dinarit është veprimtari ilegale dhe jokushtetuese.

Ai potencoi se institucionet financiare të vendit duhet të përdorin mekanizma për luftimin e kësaj dukurie, duke identifikuar burimet, siç janë disa banka të cilat operojnë me dinarë, dhe sasia e valutave të cilat konstatohet se janë ilegale të sekuestrohet.

“Çdo qarkullim me tendencë ekonomike dhe tregtare në Kosovë përveç euros, konsiderohet antikushtetuese. Sa i përket valutave tjera, si dinari, të cilat qarkullojnë në pjesë të ndryshme të territorit të Republikës së Kosovës, patjetër se kjo është veprimtari ilegale dhe jokushtetuese, përderisa nuk ekziston ndonjë hapësirë apo marrëveshje reciproke bilaterale midis dy shteteve, e të cilën ende nuk e kemi parë dhe nuk e kemi të njohur.

Institucionet financiare si BQK-ja dhe MF-ja, me strategjitë e tyre, duhet që përmes akteve nënligjore t’i identifikojnë këto burime siç janë bankat komerciale të cilat përdorin në mënyrë antikushtetuese dhe ilegale një valutë tjetër, qoftë dinari ose ndonjë valutë tjetër. Patjetër që sasia e monedhave e cila konstatohet se është ilegale në Kosovë, duhet të sekuestrohet”, theksoi Damati.

Në anën tjetër, KosovaPress-i ka drejtuar pyetje në adresë të BQK-së, se pse ende lejohet përdorimi i dinarit serb dhe sa i kushton kjo buxhetit të shtetit, mirëpo zyrtarë nga ky institucion financiar nuk janë përgjigjur.