Rritja e vendeve në zhvillim

Një studim i ri tregon se ekonomitë në zhvillim po rriten. Ai gjithashtu hedh dritë mbi disa nga misteret e rritjes ekonomike

Ky vit i tmerrshëm, paradoksalisht, mund të jetë i mirë për atë që ekonomistët e quajnë konvergjencë. Kjo zakonisht ndodh kur ekonomitë e varfra rriten më shpejt se ato të pasura, duke ngushtuar hendekun e të ardhurave midis tyre, shkruan The Economist.

Ky vit do të jetë pak më ndryshe. Pak tregje në zhvillim do të rriten – si Kina, Egjipti dhe Vietnami. Por për shkak se ekonomitë e përparuara me siguri do të bien edhe më shpejt, hendeku midis tyre do të zvogëlohet. Në pandemi, si në një garë 400 metra, meritat i shkojnë kujto të cilit i bie ritmi më ngadalë.

Herën e fundit kur pati një hendek kaq të madh të rritjes midis ekonomive të përparuara dhe atyre në zhvillim, ishte në vitin 2013 (shiko grafikun 1). Ky ishte viti i “rënies së shpejtë”, një likuidim i tregut në zhvillim, i nxitur nga frika se Amerika do të ngadalësonte ritmin e saj të lehtësimit monetar. Ai shënoi fundin e një dekade të optimizmit për tregun në zhvillim, i simbolizuar nga entuziazmi për “brics”, një akronim i krijuar nga Goldman Sachs, i cili ndihmoi që shumë investitorë t’i kushtonin vëmendje katër prej tregjeve më të njohura në zhvillim: Brazili, Rusia, India dhe Kina.

Ideja se ekonomitë “e prapambetura” mund të rriteshin më shpejt se ato të zhvilluara, u paraqit për herë të parë nga historianë ekonomikë , si Alexander Gerschenkron në vitet 1950 dhe Moisi Abramovitz në vitet 1970. Ajo mbështetet në supozimin se imitimi është më i lehtë se inovacioni dhe kthimet në investime janë të larta kur kapitali është i pakët.

Provat për rritje më të shpejtë ishin të dobëta mes viteve 1970 dhe fillimit të viteve 1990, por janë bërë më të forta që prej asaj kohe, siç kanë theksuar Dev Devel nga Universiteti i Harvardit, Justin Sandefur nga Qendra për Zhvillim Global dhe Arvind Subramanian nga Universiteti Ashoka.

Në kryerjen e parashikimeve të tyre për “brics”, Goldman hartoi një version të kujdesshëm të tezës, të quajtur konvergjencë “e kushtëzuar”. E thënë thjesht, ajo pretendon se vendet e varfra do të rriten më shpejt se ato të pasurat, nëse nuk ndryshojnë kushtet e tjera. Këto elemente të tjera, sipas Goldman, përfshijnë nivelin e arsimimit të një vendi, hapjen e tij për tregti, aksesin në internet dhe dhjetë karakteristika të tjera. Akademikët janë zhytur edhe më thellë.

Sipas Steven Durlauf nga Universiteti i Çikagos, Paul Johnson nga Vassar College dhe ekonomistit Jonathan Temple, studiuesit kanë identifikuar 145 faktorë të besueshëm që duhet të merren parasysh. Lista përfshin gjithçka, nga inflacioni dhe investimet e huaja direkte, deri tek feja, moti i ftohtë dhe leximi i gazetave.

Arsyet

Sipas Goldman, ekonomitë në zhvillim do të kapnin një kufi produktiviteti të ilustruar nga Amerika. Por shumë ekonomi duket se po konvergjojnë jo drejt një lideri global, por duke u afruar me fqinjët e tyre. Në të vërtetë, disa nga shembujt më të mirë të konvergjencës vijnë nga brenda vendeve ose blloqeve ekonomike. Prefekturat e varfra japoneze kanë shfaqur tendencën për të arritur ato më të pasurat, po ashtu edhe provincat kanadeze, shtetet indiane dhe rajonet e Europës.Nëse forcat e konvergjencës veprojnë brenda këtyre blloqeve, është e arsyeshme të pyetet nëse ekzistojnë grupime të tjera si këto. A ka “klube” të tjera konvergjence, të pasur ose të varfër, anëtarët e të cilëve po rriten?

Vendet me më shumë shanse

Në një libër të ri, “Prodhueshmëria globale: Prirjet, drejtuesit dhe politikat”, Banka Botërore përdor një algoritëm për të zgjidhur shumë kombinime, duke kërkuar grupe që duket se janë duke u konvergjuar me njëri-tjetrin. Mbështetur në ecurinë e produktivitetit të 97 ekonomive që nga viti 2000, banka identifikon pesë klube. Tre grupet më të prapambetura përbëjnë kryesisht vende mjaft të varfra. Një i katërt përmban disa shtete të mëdha me potencial të papërmbushur, si Argjentina, Brazili, Indonezia, Meksika dhe Afrika e Jugut.

Klubi më i suksesshëm përfshin të gjitha ekonomitë e përparuara, si dhe 16 tregje në zhvillim, si Kina, India, Malajzia, Tajlanda dhe Vietnami (shiko grafikun 2). Anëtarët më të varfër kanë tendencën të rriten më shpejt sesa të pasurit, me një ritëm që do të përgjysmonte hendekun e prodhimtarisë mes tyre, çdo 48 vjet.

Si shpjegohen forcat centripetale në punë? Afërsia nuk është një faktor: vendet shtrihen nga Birmania dhe Kanadaja, deri në Finlandë dhe Kili. Shumë anëtarë kanë nivele mbresëlënëse të investimeve dhe tregtisë, por edhe të tjerët në klubet poshtë tyre. Nivelet më të larta të arsimit dhe efektiviteti i qeverisë luajnë një rol të madh, të paktën në fillimin e fazave të rritjes.

Shumica e anëtarëve të klubit të lartë gjithashtu përparojnë mirë në një masë “kompleksiteti” ekonomik, të zhvilluar nga Ricardo Hausmann në Universitetin e Harvardit dhe César Hidalgo në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetsit. Vendet kanë përfitime të larta nëse eksportet e tyre janë eklektike dhe ekskluzive, duke përfshirë një gamë të larmishme produktesh që pak vende të tjera i eksportojnë. Por ka përjashtime. Kili është në klubin më të lartë, por shfaqet si i pa komplikuar ekonomikisht.

Kjo mund të jetë për shkak se eksportet e tij (bakri, salmoni, frutat) duken të thjeshta por prodhohen, diferencohen dhe paketohen në mënyra të sofistikuara. Për shembull, qershitë e tij të rrumbullakëta dhe të kuqe, përzgjidhen me kujdes për t’u eksportuar në Kinë, si simbole luksi.

Ana tjetër e pandemisë

Autorët e librit të Bankës Botërore, shqetësohen se pandemia e Covid-19 do të pengojë investimet, do të shkurtojë zinxhirët e furnizimit dhe do të nxisë izolimin, të gjitha këto mund të pengojnë konvergjencën. Por ata gjithashtu janë optimistë në disa aspekte. Krizat, për shembull, mund të inkurajojnë reformat strukturore; mungesa e mirëmbajtjes së kapitalit të vjetruar gjatë kohërave të zymta, mund të shpejtojë zëvendësimin e tij me teknologji më të reja për rimëkëmbje.

Pionierët e teorisë së konvergjencës kuptuan se një vend nuk mund të shfrytëzojë plotësisht përparimet industriale nëse i përmbahet modeleve të zakonshme të prodhimit dhe konsumit: atë që sociologu Thorstein Veblen, e quajti “skema e zakoneve të vendosura”.

Për këtë arsye, Abramovitz besonte se lufta dhe konvulsioni politik mund të shërbejnë si një “përvojë pastrimi”, duke i hapur rrugën njerëzve të rinj, organizatave të reja dhe mënyrave të reja të funksionimit. Optimistët, të cilët luten që konvergjenca do ta tejkalojë këtë vit konvulsiv, duhet të shpresojnë që skema e zakoneve të vendosura të jetë një nga viktimat e shumta të pandemisë. /Monitor.al/

Lini një koment!