Ankesa për kurdisje e shkelje të Ligjit nga MSH-ja në tenderin për furnizim me material për testim për COVID-19

Shkelje të shumta të Ligjit të prokurimit publik kanë ndodhur në tenderin për “Furnizim emergjent me material laboratorik për testim për SARS-COV-2” të Ministrisë së Shëndetësisë, sipas dy kompanive që janë ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për këtë procedurë. Sipas dy ankesave të deponuara në Gjykatën e tenderëve në fillim të këtij muaji, Ministria ka shkelur disa nene të ligjit. Kjo e fundit ka refuzuar kërkesat për rishqyrtim të kompanisë “Liri med” dhe asaj “Vitech”, ndërkohë që gazetës nuk i ka kthyer përgjigje lidhur me këtë tender, si dhe ankesat e bëra. Në platformën “E Prokurimi” nuk ka të publikuar asnjë të dhënë lidhur me këtë procedurë dhe vlerën e paraparë për këtë kontratë, ndërkohë që sipas të dhënave të publikuara në ueb faqen e OSHP-së për këtë procedurë, çmimi i ofertës së rekomanduar për kontratë është 1 milion e 241 mijë e 490 euro. Kompania e rekomanduar për kontratë nga Ministria është “Interlab”. Përfaqësuesi i saj, Betim Sadriu, ka thënë se nuk dëshiron të komentojë rreth ankesave dhe se për të gjitha çështjet lidhur me këtë procedurë duhet të jep detaje ministria. “Ju mund të drejtoheni tek Ministria e Shëndetësisë, ata i kanë vlerësuar, tash procedura është në pritje deri në një vendim të OSHP-së”, ka theksuar Sadriu.

Tani ankesat e dy kompanive që janë eliminuar si tenderues të pasuksesshëm janë në proces të shqyrtimit në OSHP.

ankesës së kompanisë “Vitech”, MSH-ja në këtë procedurë ka shkelur nenin 7 të Ligjit të prokurimit që flet për trajtimin e barabartë dhe jodiskriminim, nenin 28 për specifikat teknike, nenin 56 për dispozitat e përgjithshme mbi përzgjedhjen e pjesëmarrësve dhe dhënien e kontratave, si dhe nenin 59 për ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve.

Sipas ankesës së kësaj kompanie në dosje të tenderit është kërkuar që artikujt të ofertohen nga prodhuesit dhe jo nga ndonjë distributor i tij dhe si dëshmi është kërkuar autorizimi nga prodhuesi. “Operatori ekonomik fitues në këtë rast nuk ka plotësuar kërkesën e Autoritetit Kontraktues, pasi që ka vendosur autorizimet e distributorëve dhe jo prodhuesit në disa vende”, thuhet në ankesë.

Lini një koment!