Rritet interesimi për produktet e Krushës

Kooperativa Bujqësore “Krusha”, ku punojnë dhjetëra gra të veja, burrat e të cilave u vranë në luftë, është në vlugun e punës këto ditë. Drejtoresha e kësaj kooperative, Fahrije Hoti, tregon se edhe këtë vit ka interesim për produktet e tyre. Përveç në tregun vendor, produktet e kooperativës si: ajvari, lakrat e trangujt e konservuar shiten edhe në 4 shtete evropiane, e së shpejti mund të depërtojnë edhe në tregun e SHBA-së.

I humbën më të dashurit e tyre në luftë, por nuk u dorëzuan dhe filluan punën për një jetë të re, ndonëse me plot sfida. Njëra nga to është edhe Ganimete Hoti, e cila pasi iu vra bashkëshorti, me punën e saj, arriti t’i rrisë e shkollojë tri vajzat. Si kjo nënë vetushqyese, ka edhe gra të tjera që prej vitesh punojnë në Kooperativën Bujqësore “Krusha”. Drejtoresha e kooperativës, Fahrije Hoti, tregoi për televizionin publik se puna në kooperativën që eksporton në katër shtete, edhe këtë vit po ecën mirë.

po shkon mirë. Ne kemi ajvarin, si produkt që e simbolizon kooperativën. Pastaj, kemi specin me kos, me lakër, trangujt, karotat, lulelakrën e artikuj të ndryshëm që vijnë nga perimet. Në total kemi 46 barkode në tregun e Kosovës. Ne edhe eksportojmë në katër shtete. E kemi Zvicrën ku kemi filluar në vitin 2014, pastaj Gjermaninë, Austrinë dhe Francën”, tha Hoti.

Kooperativa e cila në shtator të vitit të kaluar ishte përfshirë nga flakët, shpejt mund të fillojë eksportin edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ndonëse ishte bërë vlerësimi i dëmit, institucionet shtetërore nuk na dolën në ndihmë. Vetëm Ambasada Gjermane na ka ndihmuar”, thotë drejtoresha Hoti, përderisa tregon se shpejt do të bëhet me objekt të ri.

“Ne kemi fituar një projekt nga Bashkimi Evropian, ku jemi në bashkëfinancim edhe ne kooperativa. Në vitin 2021 planifikojmë të dalim në objektin e ri, ku do t’i kemi kushtet shumë më të mira dhe do të jemi të gjitha në një objekt, e jo si jemi tash, në tre lokacione të ndryshme e me qira, por do të jemi në një lokacion që do t’i plotësojë të gjitha standardet për prodhim e konservim”, tha ajo.

Në Kooperativën “Krusha”, aktualisht janë të angazhuara me punë rreth 50 gra, pjesa më e madhe e të cilave kanë humbur anëtarë të familjes në luftë. Në mesin e punëtoreve ka edhe disa studente që kanë ndonjërin nga prindërit të vrarë a të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.

Lini një koment!