Papërgjegjësia e institucioneve dëmtoi buxhetin e shtetit për 25 milionë euro

Gjatë vitit 2019, nga ana e Thesarit të shtetit, konkretisht nga Ministria e Financave janë derdhur plot 25 milionë e 834 mijë e 238 euro në llogari të disa operatorëve ekonomik, shkaku i papërgjegjësisë së disa organizatave buxhetore lidhur me pagesat e faturave për shërbimet e kryera nga bizneset.

Këto mjete u paguan në emër të vendimeve gjyqësore, thuhet në raportin e Auditorit për vitin 2019, përcjell Buletini Ekonomik.

Me vendimet gjyqësore të përmbaruesve privatë që kërkonin të drejtën e tyre të kompensimit, shteti “u detyrua” të paguajë mbi 25 milionë euro, pasi organizatat buxhetore nën mbikqyrjen e tij ishin vonuar në kryerjen e obligimeve me kohë ndaj operatorëve të kontraktuar për shërbimet e marra.

Reklama e sponzorizuar

Vlera e këtyre pagesave është rritur për 5 milionë e 574 mijë e 163 euro apo për 28% në raport me të dhënat e vitit 2018, ku sipas Auditorit, ky fakt paraqet një tregues se organizatat buxhetore janë gjithnjë e më pak likuide apo vonohen në kryerjen e detyrimeve ndaj operatorëve ekonomik dhe furnitorëve tjerë.

Në bazë të auditimeve të kryera nga ZKA-ja, pagesat për organizata të nivelit qendror ishin 10 milionë e 506 mijë e 559 euro, apo 41% e totalit, ndërsa pagesat në nivelin lokal ishin në vlerë prej 15 milionë e 327 mijë e 678 eurove apo 59% e totalit të vendimeve gjyqësore.

Vonesat e tilla i kanë kushtuar Thesarit me shpenzime shtesë të buxhetit dhe implikime negative në besueshmërinë e qytetarëve ndaj institucioneve publike.

Siç shihet nga tabela më lartë, pagesat në vlera më të mëdha, kryesisht janë kryer nga kategoria e investimeve kapitale, që do të thotë se shumë projekte kapitale të planifikuara janë reduktuar për tri vite me radhë, për t’u paguar këto detyrime.

Të dhënat po ashtu tregojnë një trend të rritjes së pagesave në bazë të vendimeve gjyqësore, të cilat ishin rritur për 28% krahasuar me vitin paraprak, dhe 124% në raport me vitin 2017.

Vetëm nga Ministria e Financave janë paguar gjithsej 2 milionë e 884 mijë e 438 euro në emër të vendimeve gjyqësore, pastaj nga ana e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës 1 milion e 219 mijë euro pagesa, Komuna e Mitrovicës me 1 milionë e 491 mijë, Ministria e Infrastrukturës me 918 mijë e 231 euro, Ministria e Administratës Publike me 1 milionë e 279 mijë, Komuna e Prishtinës me 1 milion e 229 mijë, Komuna e Leposaviqit me 1 milion e 334 mijë, komuna e Pejës me 862 mijë e 900 euro, Komuna e Gjakovës me 845 mijë e 441 euro, si dhe Ministria e Kulturës me 423 mijë e 760 euro detyrime ndaj operatorëve ekonomikë.

Sipas ZKA-së, shkaqet kryesore të pagesës së faturave nga Thesari sipas vendimeve gjyqësore kryesisht kishin të bëjnë me vonesat në realizim të pagesave të faturave të mbetura si konteste nga vitet e më hershme nga OB-të, mos kompenzimi i punëtorëve për paga jubilare dhe përcjellëse, të cilat ishin të rregulluara sipas kontratës kolektive, por që nuk ishin buxhetuar nga kategoria e pagave, mos pagesat tjera sipas procedurave të rregullta për shpenzimin e parasë publike, mos pagesa e ndëshkimeve nga institucionet tjera, si dhe vonesat në pagesa për operatorët ekonomik si shkak i mungesës së mjeteve buxhetore.

Vetëm gjatë periudhës 1 janar deri më 30 qershor 2020, Thesari ka pranuar vendime të formës së prerë nga ana e gjykatave dhe përmbaruesve privatë në një vlerë totale prej afër 15 milionë euro, prej të cilave MF-ja i ka ekzekutuar mbi 10 milionë.

“Shumat e këtyre pagesave nuk janë parashikuar me ndarjet e rregullta buxhetore për vitin 2020, prandaj pjesa dërmuese e tyre pritet të paguhet prapë nga investimet kapitale, çka e rritë edhe më tepër problemin, duke shkaktuar më pas edhe keqklasifikim të shpenzimeve”, konstaton Auditori i Përgjithshëm.

E një pjesë e konsiderueshme e këtyre padive kanë të bëjnë me zbatimin e detyrimeve që dalin nga kontratat kolektive në fuqi në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/