Qeveria premton zgjidhje “të menjëhershme” për kërkesat e Policisë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se “menjëherë” do të zgjidhen çështjet e ankesave të Policisë.

Ai ka thënë se janë dakorduar me sindikatën e policëve për pagesat e orëve shtesë, teksa ka thënë se ka pasur orë të papaguara edhe nga viti i shkuar.

Sipas tij, pos pagesave për orët shtesë, dhe kostos së shujtës, për Policinë e Kosovës do të zgjidhen edhe çështjet e sigurimit jetësor dhe ajo e pensionimit të përkohshëm.

Reklama e sponzorizuar

“Ka pas mundësi të kryhet edhe më herët. Ne tash me ministrin dhe drejtorin e policisë kemi takuar sindikatën dhe kemi evidentuar edhe orët shtesë të vitit të kaluar që s’janë paguar ende e jemi dakorduar që t’i kryejmë. Jemi dakorduar që t’i kryejmë edhe shtesat e rrezikshmërisë, tash. Po bisedojmë për koston e shujtës për policë që kemi angazhuar kah 12 orë gjatë pandemisë dhe dy çështje më strukturore, sigurimit shëndetësor, të jetës dhe pensionimin e parakohshëm. Këto i kemi dakorduar me sindikatën, disa zgjidhen menjëherë si pagesa e orëve shtesë e shtesat për rrezikshmëri dhe besoj që brenda muajit do të marrim vendim edhe për shujtën, ndërkaq për sigurimi e pensionimi do të bëhet nga viti i ardhshëm një zgjidhje sistematike afatgjate”, ka thënë Hoti.

Pas tij ka reaguar menjëherë deputetja Musliu që i ka kërkuar Hotit specifikim të kohës se kur do të bëëhen këto pagesa.

E Hoti ka shtuar se kjo s’është qasje e drejtë, duke kujtuar se “e ka gjetur këtë situatë kur ka ardhur në qeveri”.

Në fund Hoti është zotuar se orët shtesë dhe shtesat e rrezikshmërisë do të paguhen me pagat e shtatorit, ndërsa shujtat në tetor ose nëntor.