Rukiqi: Nëse nuk intervenohet, në tetor kolapsi ekonomik është i pashmangshëm

Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se institucionet duhet të bëjnë më shumë lidhur me gjendjen ekonomike në vend.

Ai ka thënë se nëse nuk intervenohet, në tetor kolapsi ekonomik është i pashmangshëm, e që sipas tij, do të përcillet me humbjen e shumë vendeve të punës dhe mbylljen e shumë bizneseve.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se institucionet po tregojnë paaftësi në trajtimin e kësaj gjendjeje.

Reklama e sponzorizuar

“Ne kemi qenë aktiv në kërkesat tona dhe janë dy konstatime që i kemi edhe sot, që gjendje ekonomike është e rëndë dhe që institucionet po tregojnë paaftësi për trajtimin e kësaj gjendjeje. Nga fillimi i pandemisë humbjet në ekonominë e vendit janë në vlerën 1 miliardë euro në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo është arsye e jashtëzakonshme për shqetësim dhe alarm për ata që marrin vendime dhe që duhet të ndërhyjnë shpejtë, për pjesën e përgjegjësisë që e ka qeveria dhe parlamenti në adresimin e kësaj situate të rëndë që e kemi”, ka thënë ai.

Ndërkaq edhe sot ka dështuar votimi i projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.