Eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës këtë vit kanë rënë me 25%

Fotografi ilustruese

Eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës për tetë muajt e parë të këtij viti kanë rënë me pothuajse 25%.

Të dhënat e tregtisë së jashtme nga Instat treguan një vijimësi të rënies edhe për muajin gusht, me rreth më pak krahasuar me gushtin 2019.

Kosova ngelet partneri i dytë më i rëndësishëm, pas Italisë, por pesha specifike e eksporteve drejt Kosovës ka zbritur në 9%, nga 10% që ishte një vit më parë. Kjo dëshmon se ulja e shitjes së mallrave drejt Kosovës shkon edhe përtej efektit të përgjithshëm të krizës.

Reklama e sponzorizuar

Në fund të muajit shkurt, Kosova shfuqizoi taksën 100% ndaj importeve serbe, pas një trysnie të gjatë nga komuniteti ndërkombëtar. Kjo e hoqi avantazhin e përkohshëm të produkteve shqiptare për të pasur një akses më konkurrues në tregun kosovar, megjithëse statistikat e vitit të kaluar në fakt treguan që përfituesi kryesor nga taksa kundër mallrave serbe nuk ishte Shqipëria, por Maqedonia e Veriut. Nëse eksportet shqiptare në Kosovë vitin e kaluar u rritën me 10%, ato maqedonase u rritën katër herë më shumë.

Rënia e eksporteve shqiptare drejt Kosovës ka prekur dy prej grupeve më të rëndësisshme në këmbimet mes dy vendeve, “Minerale, lëndë djegëse, energji” dhe “Materiale ndërtimi e metale”, ndërs ai vetmi grup që ka rezistuar në rritje është ai i ushqimeve.

Këtë vit, heqja e taksës mund të jetë një nga faktorët që e ka ndërprerë shpejt edhe atë rritje të përkohshme të eksporteve shqiptare në Kosovë, por tregtia mes Shqipërisë dhe Kosovës historikisht nuk është ndikuar shumë nga afrimiteti kombëtar. Kjo mund të lidhet sa me konkurrueshmërinë e dobët të industrive shqiptare, qoftë edhe në një kontekst rajonal, por edhe me pengesa burokratike dhe administrative. Mbledhjet e përbashkëta mes qeverive dhe proklamatat e bujshme dhe të shpeshta patriotike nuk duket t’iu kenë dhënë zgjidhje këtyre pengesave. Shembuj të sjellë nga bizneset janë taksa për kalimin në Rrugën e Kombit, tarifat në terminalet doganore dhe ato për skanimin e kontenierëve, çertifikatat fitosanitare, çmimet e referencës, tarifat e skanimit të kamionëve, etj.

Edhe për këtë vit, partneri më i rëndësishëm i Shqipërisë në eksporte ngelet Italia, me 46% të totalit, nga 48% në 8-mujorin 2019. Eksportet drejt Italisë janë ndikuar ndjeshëm nga rënia e fortë e eksporteve të tekstileve dhe këpucëve. Ecuri positive këtë vit po shfaqin kryesisht eksportet drejt Gjermanisë, që për 8-mujorin përbënin 6.3% të totalit, nga 4.8% një vit më parë. Rritje të lehtë në eksporte ka regjistruar edhe pesha e Spanjës, treg i lidhur kryesisht me eksportin e naftës bruto.