Inatet politike lënë bizneset pa përkrahje financiare

0
1

Nerona Bajgora, pronare në një nga dyqanet e Prishtinës, thotë se pandemia ka ndikuar jashtëzakonisht keq në biznesin e saj dhe puna që po bëhet nuk po u siguron fitim e madje as mbulim të shpenzimeve.

“Pandemia ka ndikuar shumë në rënien e punës sonë. Puna nuk ka qenë asnjëherë më dobët se këtë vit, shumë ka ndikuar keq në pjesën e butiqeve”, thotë ajo, teksa shton se ndihma prej 170 eurove e paraparë përmes Pakos Fiskale Emergjente ka qenë e pamjaftueshme. “Nuk kemi pasur të ardhura të tjera, që për shembull të na mundësohet që qiratë të jenë më të lira. Nuk ka pasur kurrfarë ndryshimesh, qiratë kanë qenë si gjithmonë pa zbritje diçka. Ne është dashur, patëm apo jo punë, t’i paguajmë qiratë”, shton ajo.

Gjatë kohës së pandemisë janë krijuar vështirësi të mëdha në mbajtjen gjallë të bizneseve, por disa prej tyre janë detyruar edhe të mbyllen. Sipas shifrave zyrtare, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë shuar 576 biznese dhe Pakoja Fiskale Emergjente vlerësohet se nuk e ka lehtësuar aspak ndikimin e pandemisë. Për t’iu dalë në ndihmë bizneseve Qeveria ka paraparë edhe Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, i cili në seancën e së enjtes sërish nuk arriti të votohet. Kjo pasi dy partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, refuzuan të bëheshin pjesë e votimit.

Sipas ekspertëve, përveç Qeverisë, edhe partitë politike opozitare mbajnë përgjegjësi për vonesat në miratimin e këtij ligji, i cili do t’u dilte në ndihmë bizneseve.

Ndër të tjera, me Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike parashihen ndryshimet ligjore që mundësojnë tërheqjen e 10 përqindëshit nga Fondi i Kursimeve Pensinonale dhe mosndëshkim i bizneseve që nuk arrijnë ta bëjnë pagesën tatimeve, me kusht që pagesa të bëhet në tremujorin e parë të vitit 2021.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se që nga fillimi i pandemisë humbjet në ekonominë e vendit janë në vlerën e 1 miliard eurove në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, dhe sipas tij ky është alarm për institucionet që të ndërhyjnë sa më parë.