Bilancet e bankave në Shqipëri nuk tregojnë ende krizë

Sistemi është në rritje dhe fitimprurës për 6-mujorin e parë. Bankat kanë investuar sidomos në letrat me vlerë të qeverisë, por edhe huaja ka vazhduar rritjen.
Bankierët pohojnë se pasojat e krizës në treguesin e kredive me probleme do fillojnë të ndihen në fund të 2020-s dhe përgjatë vitit 2021
.

Pandemia e COVID-19 ende nuk ka dhënë efekte shumë të prekshme në bilancet e sektorit bankar shqiptar. Për gjysmën e parë të vitit, pjesa më e madhe e bankave raportuan rezultate financiare me fitim, ndërsa totali i aktiveve të sektorit vijoi të rritej.

Megjithatë, që në tremujorin e dytë, një pjesë e bankave kanë rritur fondet rezervë për humbjet nga kreditë. Pavarësisht moratoriumit të pagesave të kredive dhe ngrirjes së përkohshme të kërkesave të Bankës së Shqipërisë për riklasifikim dhe provigjionim të kredive, në raportimin sipas Standardeve Ndërkombëtare IFRS) bankat kanë shtuar provigjionet dhe kjo ka sjellë që një pjesë e tyre të raportojnë humbje për tremujorin e dytë.

Reklama e sponzorizuar

Kjo dëshmon se sistemi ka nisur të marrë një qasje më konservatore, duke u përpjekur të reflektojë gradualisht në bilance ato që mund të jenë efektet e mundshme të krizës ekonomike, të shkaktuar nga pandemia. Ndërkohë, madhësia e sistemit bankar dhe portofoli i huasë janë rritur në vlerë absolute, por edhe më shumë në terma realë, falë një tendence të kundërt në raport me ecurinë e prodhimit kombëtar.

Mbështetur në të dhënat e Shoqatës së Bankave, sipas IFRS, aktivet e sektorit bankar arritën në 97.6% të PBB-së së pritshme të këtij viti (kjo e fundit sipas projeksionit të fundit të qeverisë, që parashikon rënie ekonomike 4.3%), ndërsa një vit më parë, vlerësoheshin në rreth 85% të PBB-së. Portofoli i kredisë ka arritur në 35.7% të PBB-së, nga rreth 31.8% një vit më parë.

Credins Bank dhe Union Bank, me rritjen më të lartë

Në mesin e këtij viti, totali i aseteve të sektorit bankar, sipas IFRS, arriti vlerën e 1.54 trilionë lekëve, në rritje vjetore me 7.5%. Megjithëse mjedisi i biznesit për bankat në gjysmën e parë të këtij viti ka qenë mjaft sfidues, në 6-mujorin e parë të vitit, totali i aktiveve të bankave është zgjeruar me rreth 50 miliardë lekë. BKT mbetet me distancë banka më e madhe e sistemit, me 26.8% të totalit të aktiveve. Pjesa e tregut të BKT është rritur më tej me 0.3 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.

Credins Bank ka konsoliduar më shumë pozicionin si banka e dytë më e madhe, me 15.4% të aktiveve. Credins është njëkohësisht banka me rritjen më të lartë të pjesës së tregut në 12 muajt e fundit, me 1 pikë përqindje. Vijojnë Raiffeisen Bank me 14.7% dhe Intesa Sanpaolo me 12%, por të dyja me rënie të pjesës së tregut krahasuar me një vit më parë.

Rritje domethënëse në pjesën e tregut ka regjistruar Union Bank, që tashmë zotëron 4.5% të aktiveve totale. Rritja e Union Bank gërsheton rritjen organike të biznesit, me përthithjen e Bankës Ndërkombëtare Tregtare, të blerë vitin e kaluar. Mes bankave të tjera, në rritje janë edhe ABI Bank, OTP Bank, Tirana Bank dhe Fibank, ndërsa në rënie paraqitet Alpha Bank.

Përgjithësisht, ecuria e pjesës së tregut të bankave është në përputhje me tendencat që kanë nisur të përvijohen në periudhën e krizës. Bankat lokale dhe ato jashtë grupeve të mëdha bankare kanë fituar terren dhe janë faktorizuar gjithnjë e më shumë, si nëpërmjet rritjes organike, ashtu edhe përthithjes së bankave të tjera.

Nga ana tjetër, bankat që u takojnë grupeve bankare të Eurozonës po vijojnë një tendencë konsolidimi dhe uljes së pjesës së tyre të tregut, të ndikuara nga strategjitë konservatore të imponuara nga bankat mëmë, si edhe nga kërkesat më të larta për kapital në mbulim të aktiveve jashtë Eurozonës.

Letrat me vlerë tani janë zëri kryesor në bilance

Rritja e sistemit në këtë periudhë është mbështetur sidomos tek investimi në instrumente të borxhit qeveritar. Portofoli i titujve ka arritur vlerën e 570 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 27%. Veçanërisht në gjashtë muajt e fundit, investimet në tituj janë rritur me rreth 75 miliardë lekë. Mbështetur në të dhënat e raportuara nga Shoqata e Bankave, pesha e letrave me vlerë në bilancet e bankave ka arritur në 37%, nga 31.2% një vit më parë.

Në kushtet e një ekonomie të trazuar nga kriza e re COVID-19, bankat kanë zgjedhur të investojnë masivisht në letrat e borxhit të qeverisë, duke qenë ndër blerësit kryesorë të eurobondit në Bursën e Londrës, por edhe të instrumenteve të reja të emetuara në tregun e brendshëm. Eurobondet, që u shitën me një kupon prej 3.5%, ofruan një mundësi të mirë për të investuar me kthim të kënaqshëm dhe me rrezik të ulët te fondet e lira në euro. Monedha europiane vazhdon të dominojë strukturën e depozitave të sistemit, me rreth 52% të totalit.

Banka që mban pjesën më të madhe të investimeve në tituj brenda sistemit është BKT, me mbi 38% të totalit dhe një vlerë totale prej 219 miliardë lekësh. BKT është njëkohësisht edhe banka me peshën më të lartë të letrave me vlerë në bilanc, me rreth 53% të aktiveve. Bankat e tjera, që kanë peshë relativisht të lartë të letrave me vlerë në bilance, janë ABI Bank me 45%, Intesa Sanpaolo, me 38.3%, Union Bank me 36% dhe Tirana Bank me 34%.

Tirana Bank, më agresivja në kredidhënie

Mbështetur në të dhënat e Shoqatës së Bankave, në fund të qershorit portofoli kishte vlerën e 564.6 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 5.2%. Vetëm për 6 muajt e parë të vitit, portofoli i huasë është zgjeruar me rreth 13 miliardë lekë. Në momentin e shpërthimit të pandemisë, në muajin mars, huadhënia e re pothuajse u pezullua dhe bankat u fokusuan kryesisht në procesin e shtyrjes së kësteve. Shtyrja e kësteve ndikoi njëkohësisht në ngadalësimin e amortizimit të portofolit ekzistues të kredisë.

Megjithatë, pas muajit maj, huadhënia iu kthye rritjes, edhe falë skemave të garancisë sovrane të vendosura në dispozicion nga qeveria shqiptare. Rritja më e ngadaltë në raport me investimet në letra me vlerë ka bërë që pesha e kredisë në bilanc të bjerë në 36.6% të totalit, nga 37.4% që kishte qenë një vit më parë.

Credins Bank ka rritur më tej pjesën e saj në portofolin e huasë të sistemit bankar dhe kryeson me 19% të totalit, për një vlerë totale prej 107 miliardë lekësh. Megjithëse me pjesë tregu në rënie, Raiffeisen Bank ka marrë vendin e dytë në tregun e kredisë, me 16.3% të totalit. Raiffeisen ka ruajtur një portofol kredie në vlera të ngjashme krahasuar me një vit më parë, rreth 92 miliardë lekë, por ka ngjitur një pozicion, falë rënies së BKT-së. Banka më e madhe në vend i ka përqendruar më shumë investimet në letra me vlerë, duke humbur terren në tregun e kredisë, ku tashmë zotëron 15.9% të totalit.

Në harkun e 12 muajve të fundit, banka që është treguar më agresive në kredidhënie është Tirana Bank, e cila e ka rritur pjesën e saj të tregut në 6.6%, nga 4.8% një vit më parë. Tirana Bank i është rikthyer kreditimit pas një epoke disavjeçare në rënie dhe po shfaq gatishmëri në rritje për të marrë përsipër rrezik, sidomos në tregun e kredisë korporative. Ishte pikërisht ky segment që e kishte goditur rëndë bankën gjatë krizës, nën ombrellën e Grupit të Pireut.

Megjithatë, grupi Balfin duket se ka vendosur të shfrytëzojë rezervat e likuiditeteve që mbaheshin në vendosje, duke rritur huadhënien e duke marrë përsipër edhe ekspozime të mëdha, një çështje ku pjesa më e madhe e bankave ende ngelen të kujdesshme. Për të orientuar fokusin në këtë segment, Tirana Bank rekrutoi ish-shefen e kredisë korporative të Societe Generale (OTP Bank), e cila kishte qenë një nga bankat më aktive në tregun e kredisë korporative në vitet e fundit.

Të tjera banka që kanë arritur rritje domethënëse të pjesës së tregut të kredisë janë Union Bank, ABI Bank, OTP Bank dhe Fibank. Këto të dhëna konfirmojnë një lloj hendeku që u bë karakteristik pas shpërthimit të krizës. Disa prej bankave po shfaqen më të kujdesshme, duke menaxhuar kryesisht portofolat ekzistues dhe duke i orientuar investimet tek instrumentet me rrezik të ulët.

Kjo tendencë është mbizotëruese sidomos për bankat më të mëdha, që falë pjesës së lartë të tregut arrijnë të sigurojnë fitime të kënaqshme pa u ekspozuar shumë ndaj rreziqeve të reja. Paralelisht, një grup bankash po e shfrytëzojnë këtë periudhë për t’u rritur më shumë nëpërmjet huadhënies. Këtu hyjnë sidomos disa prej bankave të përmasave të mesme, që kriza i gjeti relativisht të shëndetshme. Shembuj tipikë kanë qenë ish-banka Societe Generale, sot OTP Bank Albania, por edhe banka të tjera, si Union Bank apo Fibank.

Risia e këtij viti është se, më në fund, edhe ABI Bank po shfaqet aktive në kredidhënie. Deri në fundin e vitit të kaluar, banka e NCH Capital e kishte mbështetur strategjinë e saj kryesisht te blerjet dhe tek investimet në letra me vlerë. Këtë vit, ABI Bank e ka rritur disi portofolin e kredisë, që në pjesën më të madhe e pati siguruar nga blerja e NBG Bank, duke arritur në 5% të tregut, nga 4.2% që mbante një vit më parë.

OTP dhe Fibank kanë kthimet më të larta

Për 6-mujorin 2020, rezultati agregat i 12 bankave të sistemit ishte pozitiv, në vlerën e 7.57 miliardë lekëve. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, fitimi neto ka pësuar rënie me 18.6%; por megjithatë fitimi i bankave për periudhën është 15% më i lartë se mesatarja e periudhës në 10 vitet e fundit.
Dhjetë prej bankave raportuan fitime, ndërsa vetëm dy e mbyllën 6-mujorin me humbje. Kthimi mesatar nga kapitali për të 12 bankat, përshtatur me bazë vjetore, ishte 18.53%.

Në terma të kthimit nga kapitali, banka më fitimprurëse deri tani këtë vit është OTP Albania, me 25.73%, e ndjekur nga Banka e Parë e Investimeve (Fibank) me 16.77%, Banka Kombëtare Tregtare me 14.41% dhe Banka Amerikane e Investimeve me 10.48%. Bankat e tjera raportuan kthim nga kapitali në vlera njëshifrore, ndërsa deri tani, vetëm ProCredit Bank dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) kanë një rezultat financiar me humbje.

Megjithëse tabloja e rezultatit progresiv vjetor është përgjithësisht pozitive, për tremujorin e dytë, pesë prej bankave raportuan një rezultat me humbje, çka mund të jetë një prelud i keqësimit gradual të performancës financiare të sistemit në gjysmën e dytë të vitit. Kriza besohet se do të prekë ndjeshëm aftësinë paguese të huamarrësve dhe kjo gradualisht pritet të reflektohet në nivele më të larta të huave me probleme dhe rritje të shpenzimeve për provigjione.

Depozitat me rritje vjetore 7.5%

Shoqata Shqiptare e Bankave raporton se, në fund të qershorit, totali i depozitave të sistemit arriti në 1.275 trilionë lekë, me një rritje vjetore prej 7.5%. Me gjithë kontraktimin e aktivitetit ekonomik për tre tremujorë radhazi, shqiptarët kanë rritur kursimet e tyre në banka, me pothuajse 90 miliardë lekë në harkun e një viti.

Depozitat ngelen burimi kryesor ku mbështetet ndërmjetësimi financiar i bankave shqiptare. Aftësia për të përthithur më shumë depozita, në shumicën e rasteve, përcakton tendencën e rritjes së përmasave të bankave dhe të pjesës së tyre të tregut.

Bankat me rritjen më të lartë të aktiveve, Credins Bank dhe Union Bank, janë njëkohësisht ato që kanë regjistruar edhe rritjen më të lartë në tregun e depozitave për periudhën qershor 2019-qershor 2020. Credins Bank e ka rritur pjesën e tregut të depozitave me 1.3 pikë përqindje, ndërsa Union Bank me 0.8 pikë përqindje.
Bankat që kanë pësuar rënie në pjesën e tregut të depozitave janë kryesisht Raiffeisen, Intesa Sanpaolo dhe Alpha Bank, të tria në intervalin 0.5-0.6 pikë përqindje.

COVID-19 po nxit më shumë automatizimin e shërbimeve

Pandemia e COVID-19 duket se e ka përshpejtuar tendencën e automatizimit të shërbimeve bankare, proces që vitet e fundit është shoqëruar me ulje të numrit të degëve e agjencive dhe shtim të bankomateve dhe pikave elektronike të shitjes. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se, në mesin e këtij viti, numri i degëve dhe agjencive bankare u ul më tej në 417 njësi, nga 425 që kishin qenë një vit më parë. Që nga fundi i vitit 2011, kur zgjerimi i bankave arriti kulmin, sistemi bankar ka mbyllur gjithsej rreth 160 degë.

Zvogëlimi i rrjetit është një tendencë e ndikuar shumë nga bashkimi mes bankave tregtare dhe ulja e numrit të tyre në treg. Nga 16, dy vjet më parë, tashmë numri i bankave tregtare ka zbritur në 12. Por, paralelisht ky proces po nxitet edhe nga politikat më konservatore lidhur me degët joeficiente dhe sidomos, nga strategjitë e automatizimi dhe dixhitalizimit të shërbimeve bankare.

Këtë vit, numri i bankomateve është rritur në 708, nga 700 një vit më parë. Pas rënies së shkaktuar kryesisht nga bashkimet e bankave, numri i tyre po rritet sërish këtë vit. Bankat po tentojnë të shmangin krijimin e ngarkesës në sportele për veprime bazike, siç janë tërheqjet cash, të cilat mund të kryhen nëpërmjet bankomateve. Kjo po bëhet duke vendosur apo duke rritur komisionet për veprimet në arkë, por, duke rritur paralelisht edhe aksesin në bankomate.

Një zhvillim më i rëndësishëm është edhe zhvillimi i shërbimeve për pagesa elektronike, siç janë internet banking apo terminalet elektronike të shitjeve POS. Numri i terminaleve POS në mesin e këtij viti arriti në 11 500, me një rritje prej pothuajse 24%, apo 2200 njësi në harkun e një viti. Shtimi i terminaleve POS është i domosdoshëm për të zgjeruar kulturën e pagesës me kartë në blerjen e mallrave dhe shërbimeve.

Mbyllja e aktivitetit ekonomik dhe goditja që pësoi sektori i turizmit e ka ulur numrin dhe volumin e pagesave me kartë në gjysmën e parë të vitit, megjithatë, sipas bankierëve, pandemia ndikoi pozitivisht në përmirësimin e shprehive konsumatore për të përdorur instrumentet alternative të pagesave.

Statistikat tregojnë se për çdo 100 lekë veprime me karta bankare, vetëm 11 lekë janë blerje direkte në POS-e, ndërsa pjesa dërrmuese e veprimeve konsistojnë në tërheqje të parave cash nga bankomatet. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, aktualisht shqiptarët kanë në duar rreth 1.25 milionë karta bankare aktive.

Kreditë me probleme të ngrira

Moratoriumi i pagesave të kësteve me efekt deri në fund të muajit gusht, ka bërë që raporti i kredive me probleme për sektorin bankar të qëndrojë pothuajse i ngrirë. Sipas statistikave zyrtare, mbështetur në standardet e raportimit të Bankës së Shqipërisë, në fund të korrikut raporti i kredive me probleme ishte 8.12%. Krahasuar me fillimin e krizës, ndryshimet në raportin e kredive me probleme kanë qenë minimale, ndërsa krahasuar me korrikun e vitit të kaluar ky raport ka rënë me tre pikë përqindje.

Rënia më e madhe erdhi në muajt e fundit të vitit 2019, sepse zakonisht në këtë periudhë bankat bëjnë nxjerrjen jashtë bilancit të kredive të humbura. Një tjetër faktor që ka ndikuar pozitivisht, sidomos pas mesit të vitit të kaluar, është edhe efekti aritmetik nga rritja më e lartë e portofolit total të kredisë.

Bankierët mendojnë se një rritje në portofolin e kredive të këqija do të fillojë vetëm në fund të këtij viti. Kjo kohë përkon me afatin 90 ditor nga mbarimi i moratoriumit, periudhë pas të cilës detyrimet e pakthyera klasifikohen si kredi të këqija, mbështetur në rregulloren e Bankës së Shqipërisë.

Nisma e Vjenës, një institucion koordinues mes bankave europiane që ka si qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar në ekonomitë emergjente të kontinentit, parashikon se vala e parë e kredive me probleme mund të shfaqet në tremujorin e katërt të këtij viti, kur masat e përkohshme rregullatore të shfuqizohen.

Një valë e dytë, ndoshta më e ngadaltë, mund të shfaqet në gjysmën e parë të vitit 2021, nëse nuk do të ketë një rimëkëmbje të shpejtë nga kriza dhe nëse falimentimi i bizneseve dhe rritja e papunësisë do të vazhdojnë. Një valë e tretë mund të vijë nga fundi i vitit 2021, nga përcjellja graduale e pasojave të krizës mes sektorëve të ndryshëm të ekonomisë./Monitor.al/ /Ersuin Shehu/