Murati: S’mbështesim projekte që e bëjnë Kosovën vend trazit për shtetet tjera në rajon

Kryetar i Komisionit për Financa në Kuvendin e Kosovës dhe deputeti i VV së, Hekuran Murati ka thënë në Interaktiv të KTV-së se partia e tij nuk mbështet projektet që Kosovën do ta bënin pikë tranziti për shtetet tjera të rajonit.

“Projekte që e bëjnë Kosovën vend trazit për shtetet tjera në rajon nuk i mbështesim. Nëse janë grante, janë të mirëseardhura. Por të merren kredi, për t’ua lënë gjeneratave tjera të paguhen, për përfitime të shteteve ta rajonit: ‘Jo faleminderit’” , ka thënë ai.

Ai po ashtu e ka shtruar pyetjen se si mendon qeveria “me 41 vota”, marrëveshje për të cilat i duhen 80 vota.

Reklama e sponzorizuar

“Të gjitha këto gjëra dhe çdo marrëveshje ndërkombëtare duhet të ratifikohen në Kuvend, kështu është Kushtetuta. Para se të vijmë te situata e moszbatimit të marrëveshjes nga një qeveri e VV-së, fillimisht duhet të vijnë në Kuvend për miratim. E një Qeveri që i ka 41 vota, si mund t’i bëjë 80 vota?”, ka thënë ai, i pyetur si si mendon VV-ja të sprapset nga Marrëveshja e Washingtonit, nëse e merr pushtetin.

Murati ka qartësuar se sot nuk është nënshkruar ndonjë marrëveshje financiare.

“Është nënshkruar një letër e qëllimit të mirë. Nuk kemi thënë që do të dalim nga marrëveshjet financiare. Çdo financim është i mirë. Por, ne si shtet duhet të vendosim, e jo Serbia të na përcaktojë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ajo që është premtuar sot, janë kredi

“E kemi pyetur disa herë Hotin në Kuvend nëse këto janë donacione apo kredi. Asnjëherë nuk është përgjigjur. Sot e morëm vesh që janë 100 milion dollarë kredi”, ka thënë ai.

Murati: Marrëveshja në Washington nuk është në favor tonin, Serbisë ia mundëson tranzitin

Hekuran Murati, kryetar i Komisionit për Buxhet, ka thënë në Interaktiv të KTV-së se në Marrëveshjen për stabilizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë ka shumë pak ekonomi dhe që është në dëm të Kosovës.

Ai ka thënë se për mjetet financiare të cilat do të vijnë si investime, nuk kanë marrë përgjigje nga kryeministri Avdullah Hoti ende se në çfarë forme i janë dhënë Kosovës.

“Nuk ka marrëveshje aty, janë zotime të nënshkruara me vetveten që i ka marrë përsipër Kosova. Aty ka shumë pak ekonomi, dhe ajo që është shkon në dëm tonin, dhe jo në favor tonin. Ato janë mundësimi i korridoreve tranzit për Serbinë që kalojnë nëpër Kosovë dhe të cilat ne duhet me i financuar vetë, duhet me i paguar, me hy në borxhe për me ia shtruar një korridor Serbisë”, tha ai.

“13 miliardë na është thënë se është vlera, investime. Ditën tjetër thanë që është 1 miliard dhe sot u tha se do jenë 100 milionë dollarë financim. Nuk na është specifikuar a janë grant apo kredi, a duhet t’i kthejmë ato para. Duke u bazuar në natyrën e Bankës mund të vijmë në përfundim se do jenë kredi”, ka shtuar ai.

Murati ka thënë se përveç njohjes nga Izraeli, asnjë pikë tjetër në Marrëveshjen për stabilitet ekonomik me Serbinë nuk ka qenë e dobishme për Kosovën.

Ai ka thënë se projektet infrastrukturore, autostrada, linja hekurudhore dhe ajo ajrore nuk kanë pasur studim të fizibilitetit porse të njëjtat janë përcaktuar pa një të tillë, pa e ditur nëse do të jetë projekt i mirë për Kosovën.

“Si mundet një ekonomist me ardhur në përfundimin se është një projekt i mirë pa studim të fizibilitetit. Paradoksalisht, kemi një marrëveshje për disa projekte infrastrukturore që thuhet se Kosova do përfitojë, por që nuk është bërë studim fizibiliteti ndërsa për Ujmanin, një projekt ekzistues, do bëhet studim fizibiliteti”, shton Murati.

Murati: Qeveria Hoti po qëndron në këmbë jo pasi i ka numrat, por shkaku i mosbashkëpunimit mes partive

Kryetar i Komisionit për Financa në Kuvendin e Kosovës dhe deputeti i VV-së, Hekuran Murati ka thënë në Interaktiv të KTV-së se partia e tij nuk e ka problem t’i sigurojë numrat e vet. Ai është pyetur rreth mocionit të VV-së për rrëzimin e Qeverisë Hoti.

“Për numra, ne nuk kemi problem t’i sigurojmë numrat tanë. Nuk e kemi problemin e koalicionin qeverisës, që e ka problem t’i sigurojë të paktën numrat e vet. Problemi te partitë tjera që nuk japin nënshkrimet, qëndron tek ato parti”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se partia e tij u ka kërkuar subjekteve tjera se u është kërkuar “të bëhen bashkë për rrëzimin e kësaj Qeverie”.

Si ka thënë ai, kjo qeveri “nuk po qëndron në këmbë se i ka numrat, por vetëm shkaku se nuk ekziston bashkëpunimi mes partive”.

Ai po ashtu ka thënë se Qeveria Kurti, “me duar të lidhura, arriti të menaxhonte më mirë sesa tani”, teksa u është referuar periudhës së fillimit të pandemisë.

I pyetur nëse mund të thuhet një gjë e tillë, marrë parasysh numrin e vogël të testimeve asokohe dhe faktin se pandemia ishte ende në fillim, ai ka thënë: “Testime bëhen aq sa ka nevojë dhe kërkesa. Në Qeverinë Kurti, janë testuar kontaktet e treta dhe të katërta”.

Ai po ashtu ka thënë se 300 milionë euro në total janë miratuar, ose me miratimin e buxhetit, ose me miratimin e marrëveshjeve.

“Vetëm marrëveshje ndërkombëtare dhe borxhe, pra financim shtesë, janë 300 milionë euro”, ka thënë ai.

Murati: Me miratimin e Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike shkaktohen dëme të pariparueshme

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Hekuran Murati, ka thënë se janë dy çështje të cilat preken nga Projektligji për rimëkëmbje ekonomike dhe që do shkaktonin “dëm të pariparueshëm”.

Ai në Interaktiv të KTV-së, thotë se problematike është çështja e trustit dhe fondet e AKP-së.

“Është puna e trustit, cënohet parimi i paprekshmërisë së një isnitucioni të pavarur dhe e dyta, bëhet fjalë për fonde të AKP-së. Këta po dojnë me ndryshu ligjin me këtë projektligj që fodnet e AKP-së me i shfrytëzu edhe për mallra dhe shpenzime, me i bë rrush e kumbulla. Kjo është dëm afatgjatë sepse këto fonde nuk rigjenerohen më. Kur është bë rishikimi i buxhetit kam kërku prej qeverisë me i nda kategoritë dhe ku do i dërgojnë ato para, kanë refuzu”, tha ai.

Murati thotë se vazhdimisht Qeveria e ka pasur hezitimin të tregojë se si do shpenzoheshin paratë me këtë projektligj, ndërsa shton se përmendet çështja e gastronomëve, por nuk ndihmohen kategori të tjera.

Ai ka thënë se përmes këtij projektligji nuk synohet të ndihmohen gastronomët dhe nuk mbron punëtorët edhe pse ky sektor ka qenë më i prekuri nga pandemia.

“Problemin e kam në logjikën dhe me çfarë politike mendojnë ata me i ndihmu gastronomisë. Nëse thua po e ulim TVSH-në, kujt po i ndihmon. Nuk është se shkakton në zbritje të çmimit që do rezultonte me rritje të konsumit. Ajo që po ndodhë këtu është se nuk po rritet as ekonomia, as nuk po mbrohen punëtorët”, tha ai.

Murati: Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, i tillë vetëm në emërtim

Kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Transfere në Kuvendin e Kosovës dhe deputeti i VV-së, Hekuran Murati ka thënë se Projektligji për rimëkëmbje ekonomike është i tillë “vetëm në emërtim”.

“Kushdo që e ka lexuar atë, e sheh se nuk ka asgjë për rimëkëmbje ekonomike. Gjithsej 6 faqe”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Përpjekjen e sërishme për ta hedhur në votim këtë projektligj dhe dështimin e kalimit të tij e ka quajtur “më tepër çështje të populizmit dhe hipokrozisë së deputetëve. Në këtë seancë, që ishte vazhdim, u provua të hidhej në votim dhe u pa se koalicioni i ka vetëm 41 vota. Opozita s’mundet ta bllokojë një koalicion që i ka 61 vota”.

Murati është pyetur kësisoj se “pse 20 deputetë të koalicionit nuk janë duke e kryer punën”.

Ai ka mohuar se opozita bën qëllimshëm një veprim të tillë.

“Kjo mund të jetë efekt anësor, shpërfaqja e jolegalitetit të kësaj qeverie”, ka thënë ai.

Murati e ka elaboruar këtë gjë, ndërkohë që ka thënë se Vetëvendosje ka qenë “parimore që nga fillimi”.

“Kemi pasur subjekte si PDK-ja, që kanë pasur evoluim në qëndrime. Ne si VV i kemi paraqitur qysh në fillim qëndrimet tona. Kemi konsistencë të qëndrimeve dhe këto rrjedhin për shkak të parimeve. Parimi është se nuk mund të ketë rimëkëmbje ekonomike me këtë projektligj”, ka thënë ai.

Murati ka vazhduar akuzat ndaj qeverisë, duke thënë se ajo nuk ka “as ide dhe aftësi”.