Për vetëm një votë nuk kaloi Projektligji për rimëkëmbje ekonomike

Në mungesë të një vote ka dështuar miratimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike i propozuar nga Qeveria.

Tri përpjekjet e partive në pushtet, për ta kaluar në parim këtë nismë, kanë arritur të marrin vetëm nga 60 vota.

Dy herë Projektligji është hedhur në votim në vazhdimin e seancës, që është mbajtur të premten e një herë me mocion procedural, votimi është mundësuar edhe në seancën e re që është zhvilluar më pas.

Reklama e sponzorizuar

“Propozoj që pas pikës jashtë rendit të ditës ta votojmë edhe një herë Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike”, ka thënë Arben Gashi nga LDK-ja.

“Ne e kemi bërë me dije që Qeveria nuk i ka numrat për t’i kaluar ligjet edhe me shumicë të thjeshtë … në parim ne s’kemi pse të jemi kundër duke e ditur prapë se prapë nuk i kanë numrat, besoj e dinë që si kanë numrat po le ta provojnë”, ka thënë ndërkaq Rexhep Selimi nga VV-ja.

“Mund ta hedhin në votim po besoj që kjo nuk është një përgjigje reale ndaj kërkesave të qytetarëve”, sipas Uran Ismajlit të PDK-së.

Por përsëritja e votimit as herën e tretë nuk ka sjellë rezultat.

Në mungesë të kuorumit nuk është votuar as projektligji për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e pandemisë COVID-19, i propozuar nga PDK-ja.

Kjo pasi nuk ka pasur pajtueshmëri mes grupeve parlamentare.

“Të thuhet që është ligj për rimëkëmbjen ekonomike, ku faktikisht nuk ka përkrahje domethënëse, nuk po them që nuk ka asgjë, por nuk ka përkrahje domethënëse për sektorin privat, për kategoritë në nevojë, ne e kemi problem”, ka thënë Bedri Hamza i PDK-së.

Para se të niste seanca Hamza ka mbajtur edhe një konferencë për media, ku ka kërkuar që të përkrahet nisma ligjore e PDK-së, duke thënë se nëse janë në pyetje vetëm mjetet e Trustit, mund të ndryshohet një nen i Ligjit për Fondet Pensionale dhe të mos quhet ligj për rimëkëmbje.

Por sipas ministres Hykmete Bajrami, Ligji për rimëkëmbje nuk e ka vetëm qëllimin e tërheqjes së 10 për qindëshit nga trusti

“Ligji për Rimëkëmbje ekonomike ka disa nene të cilat e bëjnë të mundshëm implementimin e programit të Qeverisë për rimëkëmbje ekonomike”, është shprehur Bajrami.

Oda Ekonomike dhe ajo amerikane në Kosovë kanë kërkuar nga deputetët të arrijnë konsensus për votim të projektligjit për rimëkëmbje.

Sipas tyre, reagimi institucional në fazën emergjente ishte i mangët dhe i vonuar, shumë ndërmarrje vazhdojnë të ballafaqohen me kërcënim serioz në aspektin e mbijetesës.