Lluka pranon se bashkëshortja e tij punonte në Dardafone kur fabrika e amortizerëve u ble nga Devollët

Ish-drejtori menaxhues në Agjencinë Kosovare për Privatizim, Shkëlzen Lluka, është ftuar që të intervistohet nga Komisioni hetimor parlamentar lidhur me procesin e privatizimit.

Lluka është pyetur nga anëtarët e Komisionit në lidhje me privatizimin e fabrikës së amortizerëve që është blerë për 2 milionë e 500 mijë euro nga Devollët.

Kryetari i Komisionit, Hajrullah Ceku e ka pyetur të intervistuarin në lidhje me raportin e tij personal me Devollët ose angazhimin e tij në ndonjërën nga kompanitë e Devollëve.

Reklama e sponzorizuar

Lluka ka thënë se njihet personalisht me Devollët porse asnjëherë nuk ka pasur angazhim në ndonjërën nga kompanitë e Devollëve. Megjithatë ai e ka pranuar se gruaja e tij ka qenë e punësuar në Dardafone të Z-mobile gjatë kohës së privatizimit.