Termokosi nga sot fillon sezonin e ri të ngrohjes

Ngrohtorja Publike “Termokos” thotë se që nga mëngjesi i ditës së sotme ka filluar furnizimi me ngrohje për afro 15 mijë konsumatorë në Prishtinë.

Termokos nëpërmjet një njoftimi thotë se paraprakisht janë zhvilluar me sukses gjithë përgatitjet e nevojshme, riparimet e rrjetit e nënstacioneve të ngrohjes dhe testimet e pajisjeve e rrjetit.

“Furnizimi me ngrohje do t’i përshtatet lëvizjes së temperaturave të ajrit dhe nevojave të konsumatorëve për ngrohje”, thuhet në njoftimin e Termokosit.

Reklama e sponzorizuar

Duke u bazuar në përgatitjet e realizuara dhe zhvillimin e projekteve, që kanë qenë në proces, kryeshefi ekzekutiv Arsim Fetahu është shprehur optimist se edhe ky sezon do të jetë i suksesshëm.

Në kuadër të fazës së dytë të projektit për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, që është realizuar me fondet e Komisionit Evropian, sivjet për herë të parë do të fillojnë të furnizohen me ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore çerdhja “Xixëllonja”, shkolla “Meto Bajraktari”, objekti i Teatrit Kombëtar, Opera e Kosovës, Ministria e Kulturës, Prokuroria Speciale, 5 objekte të vjetra banesore të lagjes “Ulpiana”, ndërsa pas pak kohësh do të kyçen në rrjetin e ngrohjes edhe gjashtë objekte të reja banesore të lagjes “Mati 1”.