Kjo është forma e aplikimit për tërheqjen e 10 përqindëshit të Trustit

Fondi i Kursimeve Pensionale tanimë ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e pranimeve të aplikimeve nga qytetarët për tërheqjen e 10 përqind të kursimeve të tyre.

Këtë e ka bërë të ditur për Buletinin Ekonomik, zyrtari për Informim brenda Trust-it, Jeton Demi.

Demi ka thënë se Trusti ka bërë të gjitha përgatitjet teknike për t’iu mundësuar qytetarëve aplikimin për tërheqjen e të hollave, po që ende janë në pritje të shqyrtimit të Projektligjit në leximin e dytë në Kuvend, që sipas burimeve të Buletinit Ekonomik pritet të bëhet në seancën e të hënës, si dhe se janë duke pritur që të hyjë në fuqi ky Projektligj.

Sipas të dhënave nga Trusti, aplikimi për tërheqjen e 10% do të bëhet vetëm përmes internetit, pra online, dhe procesi do të jetë mjaftë i lehtë dhe vetëm me të dhënat kryesore të kontributdhënësve.

Ndërkohë, koha që do të marrë i gjithë procesi nga momenti i aplikimit e deri te kalimi i mjeteve në llogaritë e qytetarëve, do të jetë përafërsisht disa ditë, pasi kjo pritet të varet prej çështjeve teknike dhe numrit të kontribuesve që aplikojnë brenda një dite.

“Aplikimi është menduar të jetë vetëm përmes internetit dhe procesi do të jetë mjaft i lehtë, me të dhënat kryesore të kontribuuesit. Ndërsa koha që do të merr procesi prej momentit të aplikimit e deri në kalimin e mjeteve në llogari mendohet të jetë brenda disa ditësh, varësisht prej çështjeve teknike dhe numrit të kontribuuesve që aplikojnë brenda një dite”, tha Jeton Demi. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/

Lini një koment!