Pasuria e miliarderëve në të gjithë botën kap rekorde në kohë pandemie

Pasuria totale e miliarderëve arriti, për herë të parë në histori, 10,2 trilionë dollarë në fund të korrikut 2020, duke prekur maja të reja dhe duke kapërcyer rekordin e mëparshëm 8,9 trilionë dollarë, në fund të 2017-s. Sot, në botë, numërohen 2.189 miliarderë, në rritje krahasuar me 2.158 miliarderë në vitin 2017.

Këto të dhëna dalin nga raporti i fundit i Billionaires Insights 2020, i publikuar nga UBC dhe PWC, edicioni i shtatë. Studimi mori në analizë 43 tregjet më të mëdha në botë, që përfaqësojnë rreth 98% të pasurisë miliardere globale. Rreth 60 intervista u kryen me vetë miliarderët dhe burimet e hulumtimit përfshinë të dhëna për miliarderët e PWC dhe vlerësimet e qëndrueshmërisë së UBS.

Që pasuria e miliarderëve në nivel global vijon të rritet e tregon edhe pasuria e njeriut më të pasur në botë, Jeff Bezos, që në gusht kapërceu 200 miliardë dollarë, sipas vlerësimeve të Forbes. Pesë janë njerëzit në botë që mbajnë titullin “100 miliardësh”, pasi Elon Musk arriti kuotën 100 miliardë dollarë.

Reklama e sponzorizuar

Raporti i UBS dhe PWC tregon se pasuritë po polarizohen nga momenti që gjithnjë e më shumë inovatorë dhe të ashtuquajturit ‘disruptor’ po përdorin teknologjinë për t’u bërë liderë në revolucionin ekonomik. Gjatë vitit 2018, 2019 dhe 7 muajt e 2020, sipërmarrësit në sektorin teknologjik, shëndetësor dhe industrial e panë veten në avantazh. Stuhia e shkaktuar nga COVID-19 nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka përshpejtuar këtë tendencë.

Shkencëtarët, programuesit dhe inxhinierët po revolucionarizojnë industritë me një ritëm që nuk është parë ndonjëherë. Sfera e tyre e veprimtarisë po përhapet nga sektorët e teknologjisë dhe kujdesit shëndetësor te sektorë të tjerë të së gjithë ekonomisë.

Në këtë periudhë pandemie janë regjistruar edhe rekorde në donacione. Rreth 209 miliarderë kanë premtuar publikisht 7,2 miliardë dollarë.

“Momentet si luftërat ose pandemitë kanë tendencën të përshpejtojnë ndryshimin dhe të lënë një ndikim të fortë në të gjitha sferat e jetës”, shkruajnë Josef Stadler, kreu i zyrës globale (head global family office) të Ubs Global Wealth Management dhe Marcel Tschanz, kreu i këshilltarit bankar (head of banking advisory) të PWC Zvicër.

“Ashtu si pas një stuhie, kërkohet rinovimi dhe rishpikja. Ky komunitet i miliarderëve ka të ngjarë të tregojë rrugën edhe në këtë përpjekje. Brezi i ardhshëm i sipërmarrësve është i destinuar të ofrojë një këndvështrim unik në këtë ‘normalitet të ri’ dhe të mbështesë një epokë të re të inovacionit dhe ndryshimit “.