Kosova pa testimet e premtuara masive për COVID-19

“Jemi duke e përgatitur strategjinë e re të testimeve, që nënkupton edhe testime në masë”, kishte deklaruar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, më 29 qershor 2020.

Edhe pse para katër muajsh ministri i Shëndetësisë premtoi strategji për testime në masë, Kosova mbetet vendi me numrin më të ulët të testimeve në rajon, ndonëse këtë të premte Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik tha se kanë shënuar rekord, raporton KOHA.

Brenda 24 orësh, 889 persona u testuan për COVID-19 në Kosovë, nga të cilët 104 raste dolën pozitive.

Reklama e sponzorizuar

Në Shqipëri brenda ditës realizohen më shumë se 1.400 testime për 2.8 milionë banorë, në Maqedoni të Veriut mbi 2440 testime për 2 milionë banorë e në Mal të Zi 874 testime për 620 mijë, në Serbi mbi 7.400 mijë testime për rreth 7 milionë banorë.

I pyetur nëse do të ketë testime masive në Kosovë, ministri Zemaj tha të premten se numri i tyre po rritet dhe përsëriti premtimin se 6 aparatura për testime do të dërgohen nëpër qendrat rajonale.

“Numri i testimeve është rritur në vazhdimësi, ka ditë që ka edhe testime mbi 700 varësisht prej nevojave, testimet nuk janë vullnetare dhe dëshirore, por janë nevojat për të përcjellë dhe parandaluar përhapjen”, ka thënë Zemaj.

Derisa në Evropë dhe në rajon tashmë ka filluar një valë e re e infektimeve, Bordi Këshilldhënës për COVID-19 është mbledhur të premten për të diskutuar nevojën për masa të reja.

“E kam edhe një kërkesë prej juve që t’i marr opinionet lidhur me menaxhimin e kufijve, sepse tash vendet e rajonit, por edhe evropiane janë në listë të kuqe nga ECDC-ja”, shtoi Zemaj.

E kryesuesi i Bordit këshillëdhënës për Covid-19, Lul Raka, ka thënë se aktualisht nuk ka nevojë për mbyllje kufijsh dhe ka bërë thirrje që në Maqedoni të Veriut të udhëtohet vetëm në rast nevoje e jo për të shëtitur.

“Mbyllja totale nuk është opsion, por mund të jetë opsioni i fundit dhe personalisht mendoj se nuk është zgjidhje. Kosova nuk mund të përballet lehtë me pandeminë, sepse ne i dimë mangësitë tona dhe nëse vazhdojmë me këtë trend ky është trend i menaxhueshëm”, është shprehur Raka.

Raka ka shtuar se deri në masën 90 për qind janë zbatuar rekomandimet e Bordit Këshillëdhënës për Covid dhe se duhet respektohen masat që kanë për qëllim mospërhapjen e virusit.