Projektligji i Gjermanisë, puna nga shtëpia, e drejtë ligjore

Gjermania do të publikojë një projektligj që do ta bëjë punën nga shtëpia një të drejtë ligjore – tha ministri i Punës. Nisma synon të forcojë të drejtat e punonjësve dhe të përcaktojë kufij më të qartë midis jetës personale dhe asaj profesionale.

Gjermania tha se dëshiron që t’u japë të drejtën ligjore qytetarëve të vet për të punuar nga shtëpia. Punonjësit në shumë pjesë të botës tashmë kanë më shumë përvojë me punën në distancë se sa në fillim të këtij viti. Në Gjermani, rreth 40% e njerëzve dëshironin të punonin nga shtëpia të paktën për një pjesë të kohës edhe para pandemisë.

Vendi e ka marrë në konsideratë nismën, për të bindur kompanitë për t’u dhënë punonjësve mundësinë të punojnë nga shtëpia që prej fillimit të 2019-s. Tashmë që pandemia ka krijuar një ide se çfarë është e mundur, Gjermania po përpiqet ta bëjë këtë gjë zyrtare. Projektligji do të bëhet publik brenda pak javësh, deklaroi ministri i punës i vendit, Hubertus Heil, për Financial Times.

Linja të paqarta

Në intervistën për Financial Times, ministri i Punës, Hubertus Heil, tha se ligji do t’u jepte punonjësve mundësinë për të punuar nga shtëpia, kur kjo është e mundur. Dhe, gjëja më e rëndësishme, ka një plan për të forcuar të drejtat e punonjësve dhe për të përcaktuar kufij më të qartë midis jetës personale dhe asaj profesionale.

Kjo çështje është në mendjen e shumë njerëzve, pas muajve të tërë pune në shtëpi, e shkaktuar nga kriza. Sondazhi Pre-COVID-19 tregoi se njerëzit nëpër botë janë edhe më të interesuar për të punuar në shtëpia, krahasuar me Gjermaninë – 98% deklaruan se dëshironin të punonin nga shtëpia ndonjëherë.

Një kërkim i fundit i IBM zbuloi që, ndërkohë që disa drejtues mendojnë se kompanitë vepruan mirë në menaxhimin e kalimit te mënyra të reja të të punuarit, punonjësit jo gjithnjë janë dakord. Shumë ndihen të lodhur dhe vetëm 46% mendon se kompania për të cilën punojnë po bën mjaftueshëm për t’i ndihmuar në mirëqenien e tyre.

Një herë në javë

Megjithatë, siç tregon vendimi i Gjermanisë, puna në distancë, në disa forma duket sikur ka një rol shumë më të rëndësishëm në jetën e shumë njerëzve. Google, Salesforce dhe Facebook janë ndër kompanitë që u kanë thënë punonjësve se mund të punojnë nga shtëpia të paktën deri në verën e ardhshme. Microsoft e Twitter kanë thënë se disa punonjës mund ta bëjnë këtë përgjithnjë.

Dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 69% e kompanive për shërbime financiare të intervistuara nga PwC tha se presin që thuajse dy e treta e forcës së punës të punojnë nga shtëpia një herë në javë në të ardhmen. Para pandemisë, kjo shifër ishte 29%.

Pavarësisht shqetësimit të disa kompanive mbi ndikimin te ekipi i punës dhe produktiviteti kjo mund të kursejë kosto – hulumtimi ka zbuluar se një punëdhënës tipik mund të kursejë rreth 11,000 dollarë në vit për çdo person që punon në distancë gjysmën e kohës.

Plani i Gjermanisë është një shembull i qeverive që po përpiqen të garantojnë që bota e re e punës të funksionojë për të gjithë. Edhe Spanja, Greqia dhe Irlanda dëshirojnë të zhvillojnë rregullore të reja për punën në distancë, sipas Financial Times.

David Elliott, Senior Writer, Formative Content
Burimi: World Economic Forum

Lini një koment!