Projektligji për Komercialen rrezikon qasjen e plotë në të gjitha shkallët e sistemit të drejtësisë

Siç nuk ndodh në pjesën tjetër të sistemit gjyqësor, draftligji për Gjykatën Komerciale rrezikon që një rast të mos mund të trajtohet nga të gjitha shkallët.

Draftligji që është në konsultim publik parasheh dy shkallë brenda një gjykate, që kanë një kryetar dhe paga të gjyqtarëve më të lartat në sistem, raporton KOHA.

Nëse projektligji kalon, vetëm lëndët me kontest mbi 1 milion euro mund të bëhen subjekt i Supremes.

Reklama e sponzorizuar

Avokati Korab Sejdiu, i cili merret me të drejtën komerciale, thotë se këto lëndë janë të pakta, gjë që e përjashton shumicën e rasteve nga mundësia e qasjes së plotë në drejtësi.

“Njëkohësisht duhet të analizohen edhe aspektet praktike të lëndëve të cilat janë aktualisht në Departamentin Ekonomik dhe që potencialisht mund të transferohen në Gjykatën Komerciale dhe të shihet sa prej tyre e kalojnë këtë 1-milionëshin, a është 1 për qind, 2 për qind apo 50 për qind që automatikisht na jep neve të kuptojmë nëse ky numër është arbitrar apo jo”, ka thënë Sejdiu.

Ndërsa, përfshirja e Themelores dhe Apelit në një ombrellë për lëndët komerciale, sipas kryetarit të Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Këtë model e kanë marrë nga Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme, që i pati bërë UNMIK-u, e që unë mendoj që ka dështu, për shkak se duhet detyrimisht të caktohet saktë shkallshmëria”, ka deklaruar Shala.

Ministria e Drejtësisë, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka përmendur si model Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme, por nuk ka dhënë sqarime rreth përcaktimit të vlerës 1-milionëshe.

“Lidhur me kufizimin e revizionit, praktika e tanishme gjithashtu e limiton revizionin. Revizioni është mjet juridik i jashtëzakonshëm dhe, si i tillë, Kushtetuta kërkon që të rregullohet me ligj, në këtë rast do të rregullohet me Ligjin për Gjykatën Komerciale. Gjithashtu, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut shprehet qartë se gjykatat supreme nuk kanë domosdoshmërish të drejtë të qenësishme për rishikim në rastet kur e drejta për ankesë ekziston. Gjykata Komerciale e garanton të drejtën për ankesë”, thuhet në përgjigjen e MD-së.

Projektligji është kritikuar edhe për përzierjen e lëndëve administrative dhe komerciale në një gjykatë.

“Këtu tani është keqpërdorim apo keqkuptim, sepse nuk duhen me qenë kompetencë e Gjykatës Komerciale aktet administrative”, la thënë Hasan Shala, kryetar i Gjykatës së Apelit.

“Një çështje tjetër është duplifikimi i Departamentit Administrativ, sepse një pjesë e lëndëve administrative kalojnë në kuadër të Gjykatës Komerciale dhe shtrohet pyetja a është kjo gjykatë komerciale a komercialo-administrative”, ka shtuar avokati Korab Sejdiu.

Qëllimi i krijimit të Gjykatës Komerciale është përmirësimi i kushteve të të bërit biznes në Kosovë.