BE-ja shënon suficit tregtar mbi 11 miliardë euro gjatë muajit gusht

Bilanci i tregtisë së jashtme të Bashkimit Evropian shënoi suficit prej 11.3 miliardë eurosh në muajin gusht krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Siç njofton Zyra evropiane e Statistikave, përcjell Telegrafi, vitin e kaluar kjo shifër ishte 10.6 miliardë euro.

“Vlerësimi i parë për eksportet e mallrave jashtë BE-së në gusht ishte 139.7 miliardë euro, me një rënie prej 14.0 për qind krahasuar me gushtin e vitit 2019”, thuhet në raport.

Reklama e sponzorizuar

Importet nga pjesa tjetër e botës ishin në 128.3 miliardë euro, me një rënie prej 15.6 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Tregtia brenda BE-së ra në 208.8 miliardë euro në gusht, me minus 4.2 për qind krahasuar me gushtin 2019.

Gjatë së njëjtës periudhë, eksportet e mallrave ranë për të gjitha vendet anëtare, përveç Sllovenisë (plus 3.7 për qind) dhe Sllovakisë (plus 15.8 për qind).