Si fitojnë pa aplikuar kamatë institucionet financiare me rregulla islame?

Kredi pa kamatë”, kjo është motoja e disa prej institucioneve mikrofinanciare në Kosovë që përdorin rregullat islame të bankimit. “Start” është njëra nga to dhe është e pranishme në sektorin mikrofinanciar që nga viti 2002. Lëshon kredi si të gjithë konkurrentët tjerë, por ndryshe nga ta ajo nuk aplikon kamatë për klientët e saj.  

Në Kosovë janë vetëm dy institucione financiare që e aplikojnë këtë model, por shumë pak dihet për mënyrën e funksionimit të tyre. Buletini Ekonomik ka hulumtuar rreth funksionimit të këtyre institucioneve, mënyrën se si fitojnë, dhe se a janë të licencuara sipas ligjit.

Nga hulumtimi del se ka paqartësi rreth funksionimit të tyre; mungon baza ligjore e mjaftueshme dhe nuk dihet shumë sesi realizojnë fitim pa e përdorur interesin.

Reklama e sponzorizuar

Në punën e tyre këto institucione zbatojnë rregullat islame dhe nuk aplikojnë fare kamatë për klientët e tyre. Për të fituar para pa përdorimin e interesit, ato përdorin ‘sisteme të pjesëmarrjes’ përmes ekuitetit. Pjesëmarrja përmes ekuitetit nënkupton që nëse një institucion i tillë i huazon para një biznesi, atëherë ky biznes do ta paguajë kredinë pa kamatë, por është i detyruar që një pjesë të fitimit t’ia jap institucionit. Në qoftë se biznesi dështon ose nuk realizon ndonjë fitim, atëherë as institucioni, i cili ka dhënë kredinë nuk përfiton.