Termokosi nis ngrohjen në kryeqytet

Termokosi ka nisur të enjten sistemin ngrohës në Prishtinë.

Ngrohtorja e qytetit njoftoi se bazuar në Ligjin për ngrohje, rregulloret e ZRRE-së dhe kushtet klimatike, tanimë janë plotësuar parakushtet për të filluar furnizimin me ngrohje.

Termokosi njoftoi se paraprakisht janë zhvilluar përgatitjet e nevojshme, riparimet e rrjetit e nënstacioneve të ngrohjes dhe testimet e pajisjeve e rrjetit.

Zëdhënësja Afërdita Uka Fejzullahu, tha për KOHËN se gradualisht, afro 15 mijë konsumatorë, që aktualisht janë të kyçur në rrjetin e ngrohjes shumë shpejtë do të fillojnë të ndjejnë efektin e furnizimit me ngrohje.

Furnizimi me ngrohje do t’i përshtatet lëvizjes së temperaturave të ajrit dhe nevojave të konsumatorëve për ngrohje.

Duke u bazuar në përgatitjet e realizuara dhe zhvillimin e projekteve, që kanë qenë në proces, Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A, Arsim Fetahu është shprehur optimist se edhe ky sezon do të jetë i suksesshëm.

Ai tha se në kuadër të fazës së dytë të Projektit për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, që është realizuar me fondet e Komisionit Evropian, sivjet për herë të parë do të fillojnë të furnizohen me ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore çerdhja “Xixëllonja”, shkolla “Meto Bajraktari”, objekti i Teatrit Kombëtar, Opera e Kosovës, Ministria e Kulturës, Prokuroria Speciale, 5 objekte të vjetra banesore të lagjes “Ulpiana” , ndërsa pas pak kohësh do të kyçen në rrjetin e ngrohjes edhe 6 objekte të reja banesore të lagjes “Mati 1”.

“Privilegji për startimin e sezonit ngrohës i ka takuar Qemajl Limonit, i cili është punëtori më i vjetër i ndërmarrjes. Duke rikujtuar të kaluarën, kur kanë qenë rrethana krejt tjera për punë, ai ka shprehur kënaqësinë e tij, që tani me Projektin e kogjenerimit ka kushte shumë më të mira pune dhe si rrjedhojë edhe furnizim më cilësor me ngrohje për gjithë konsumatorët”, përfundon njoftimi.

Lini një koment!