MTI-ja lanson data-bazën me informata për licenca dhe leje të ndryshme

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka lansuar sot data-bazën për tregtinë në shërbime, e cila do ta lehtësojë të bërit biznes në Kosovë.

Ministri Vesel Krasniqi ka thënë se kjo data- bazë është pika e vetme e kontaktit në bazë të direktivës së shërbimeve të Komisionit Evropian dhe ligjit të shërbimeve të përgjithshme.

“Qëllimi kryesor i bazave të të dhënave është të lehtësojë qasjen për të gjitha palët e interesit në kornizën ligjore që rregullon aktivitetet e shërbimit në Kosovë, duke ndihmuar në operimin e tyre që tani janë në tregun tonë dhe të atyre sipërmarrësve që duhet të fillojnë të ofrojnë shërbime në Kosovë. Vlen të theksohet se kjo platformë është një hap i suksesshëm drejt themelimit të pikës së vetme kontakti në bazë të direktivës së shërbimeve të Komisionit Evropian dhe Ligjit të shërbimeve të përgjithshme”, tha Krasniqi.

Reklama e sponzorizuar

Ministri Krasniqi më tej ka shpalosur shifrat në lidhje me veprimtaritë e shërbimeve në Kosovë për vitin 2019.

“Veprimtaritë e shërbimeve kanë mbuluar 74 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, në vitin 2019, dhe ka punësuar 85 për qind të forcës së përgjithshme të punëtorëve në Kosovë. Veprimtaritë e shërbimeve përbëjnë 83 për qind të bizneseve të reja të regjistruara në vitin 2019. Gjithashtu eksporti i tregtisë në shërbime për 2019 ka arritur vlerën prej 1.6 miliardë euro”, tha Krasniqi.

Ai ka bërë të ditur se Kosova ka marrë angazhime në kuadër të MSA-së dhe në kuadër të CEFTA-së që përmes protokollit gjashtë, në aspektin e sigurimit të transparencës, lehtësimin e procedurave për ofruesit e shërbimeve që synojnë të hyjnë në tregun tonë.

Krasniqi tha se në bazë të ligjit mbi shërbimet, Kosova është e obliguar të themelojë një pikë të vetme të kontaktit për shërbimet, e cila duhet të themelohet dhe miratohet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Ndërsa Ricardo Serri nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka thënë se është mirë që në këtë projekt të punohet bashkë, pasi është pjesë e partneritetit në mes tyre.

“Kemi prekur disa prej çështjeve kryesore, të cilat edhe unë do të doja t’i përsëris dhe t’i theksoj në këtë ditë të rëndësishme për ne, sepse është dita që lansohet ky projekt, pika kontaktuese për shërbime. Dihet që deficit në tregti ka një bilanc pozitiv apo fitim prej 1.6 miliardë euro. Kjo është diçka për të cilën është mirë të punojmë në këtë projekt bashkë me ju dhe me partnerët tjerë, diçka që është më rendësi të mbahet mend është që kjo nuk është e izoluar, është pjesë e partneritetit që kemi”, ka thënë Serri.

Drejtuesi i Ekipit të Projektit GIZ “Mbështetje për Procesin e Integrimit Evropian”, Mark Barret tha se lansimi i data-bazës ofron informata të rëndësishme për licencat dhe leje të ndryshme.

“Zhvillimi i kësaj pike tregon me MSA-në është aktivitet shumë praktik. Normalisht ka shumë diskutime, bisedime dhe duket si diçka e pa qartë, por realisht është shumë e prekshme, dhe ajo çka realizohet përmes këtij procesi bëhet shumë reale. Kjo pikë kontaktuese ka të bëjë me përmirësimin e gjendjes ekonomike për të mirën e njerëzve. Pra, është krijuar një sistem që ofron të gjitha informatat e nevojshme për licencat, lejet e ndryshme, për sektorë të rëndësishëm të shërbimeve, duke e bërë procesin shumë më transparent dhe më të qasshëm për të gjithë”, ka thënë Barret.