Kosova me deficit tregtar për -4.5 për qind

0
2

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar dje të dhënat dhe statistikat lidhur me eksportin dhe importin për muajin shtator të këtij viti.

Të dhënat nga ASK-ja për Tregtinë e Jashtme të Mallrave në Kosovë, tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për -4.5 përqind në muajin shtator 2020, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 245.5 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 257.2 milionë eurosh në vitin 2019. Kësaj radhe, eksporti mbulon importin me14.5%.

Eksporti i mallrave në muajin shtator 2020 kishte vlerën 41.7 milionë euro, ndërsa importi 287.2 milionë euro, që është një rritje prej 8.6% për eksport, dhe një rënie prej -2.8% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 23.7% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13.5% të eksporteve e përbëjnë produktet bimore; 13.3% të eksporteve e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 12.7% të eksporteve e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9.6% të eksporteve e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6.8% të eksporteve e përbëjnë produktet minerale; 4.6% të eksporteve e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 4.5% të eksporteve e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13.3% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.3% e përbëjnë mjetet e transportit; 11.1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9.5% e përbëjnë produktet minerale; 7.9% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.          

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 15.3 milionë Euro, ose rreth 36.8% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 19.2%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (13.3%),  Britania e Madhe (3.7%), Holanda (3.3%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 119.5 milionë Euro, ose 41.6% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-16.0%). Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.3%), Italia(5.0%), Polonia (3.2%), Greqia (2.6%), etj.

Në muajin shtator 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 18.5 milionë Euro, ose 44.6% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 15.9%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (15.6%), Maqedonia e Veriut (10.5%), Serbia (9.5%), dhe Mali i Zi (7.3%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin shtator 2020, arritën në 62.4 milionë Euro, ose 21.7% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 46.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (7.2%), Serbia (6.6%) dhe Maqedonia e Veriut (5.8%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 7.7 milionë Euro, ose 18.6%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (8.6%),  dhe Zvicra (7.1%).

Kurse, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 105.2 milionë Euro, ose 36.6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (12.3%) dhe Kina (10.1%). /Buletini Ekonomik/