Studentët, të paprekur nga dora e shtetit në pandemi – nuk janë liruar nga pagesat në fakultete

Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina"

Pandemia e shkaktuar nga virusi COVID-19 ka prekur të gjitha shtresat e shoqërisë nëpër botë dhe njëjtë ka ndodhur edhe në Kosovë. Por, si duket shtresa më e goditur dhe me më së paku përkrahje do të jenë edhe kësaj radhe studentët.

Qeveria e Kosovës, nëpërmjet Pakove të Rimëkëmbjes Ekonomike ka ndihmuar bizneset dhe personat e punësuar, gjithashtu qeveria ka ndihmuar edhe familjet në asistencë sociale dhe pritet që të gjitha kategoritë shoqërore të kenë ndihma shtesë nga shteti, por jo studentët, shkruan lajmi.net.

Studentët e Universitetit të Prishtinës nuk do të kenë as lehtësira e as nuk do të lirohen nga pagesat të cilat i detyrohen Universitetit, gjegjësisht në fakultetet përkatëse.

Reklama e sponzorizuar

Sipas informacioneve që posedon lajmi.net, studentët e nivelit bachelor të studimeve (përveç vitit të parë që janë të liruar nga pagesa për çdo vit), viti i dytë dhe viti i tretë do të paguajnë shumën e njëjtë për semestër, pra nga 25 euro.

Gjithashtu në konkursin për pranimin e studentëve në nivelin e dytë të studimeve, pra master, bëhet e qartë se me rastin e regjistrimit në fakultet pas pranimit, studentët me vete duhet të kenë edhe fletëpagesën prej 150 euro e cila shkarkohet nga SEMS dhe paguhet në bankë.

E lidhur me këtë, deputeti i Parlamentit Studentor, Oktaj Hasani në një prononcim për lajmi.net ka thënë se deri më tani MASH-i nuk ka marrë asnjë vendim lidhur me lirimin e studentëve nga pagesa.

Hasani më tutje thotë se zv.ministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj i ka premtuar përkrahje maksimale në kërkesat e studentëve për lirim nga pagesa dhe gjithashtu tregon se kanë kërkuar takim edhe me kryeministrin Hoti por edhe me ministren e Financave, Hykmete Bajrami.

“Në fakt deri më sot po, ende nuk është ndërmarrë as edhe një hap i vetëm nga MASH, në lidhje me kërkesat e studentëve për lirim nga pagesa. Unë si Deputet në Parlamentin e Studentëve dhe si përfaqësues i Organizatës Studentore REFORMA, së bashku me përfaqësuesit e Organizatës tjetër Studentore SKV, kemi takuar zv. Ministrin e Arsimit dhe Shkencës, z. Xhavit Rexhaj, i cili na premtoi përkrahje maksimale për kërkesat tona. Po ashtu gjatë javës kemi dërguar kërkesën tonë edhe në zyrën e Kryeministrit Hoti, mirëpo edhe tek Ministrja e Financave Hykmete Bajrami. Jemi në pritje të ftesës për takim, dhe pastaj do ta vazhdojmë dialogun me ta për zgjidhjen më të mirë të mundshme.”, tha Hasani për lajmi.net.

Hasani thotë se pagesat e semestrit nuk janë problemi i vetëm i studentëve, ani pse në nivelin master shuma është tejet e lartë.

Ai më tutje shprehet se pagesat administrative, librat, udhëtimi, pagesa për hyrje në provime dhe obligimet e tjera janë barrë për studentët, tek shton se si duket këto arsye nuk i kanë mjaftuar qeverisë që edhe kategorinë e studentëve ta fusë në pakon emergjente.

“E vetmja shtresë e shoqërisë kosovare e cila nuk është ndihmuar nga Qeveria janë studentët. Arsyetimi për këtë po del të jetë se ata na ndihmojnë me bursa dhe me lehtësira për disa kategori të studentëve. Mirëpo siç duket nuk e kanë të qartë se jo të gjithë studentët janë bursistë, dhe jo të gjithë futen në kuadër të njerëzve me nevoja të veçanta. Kësisoj kategoria e mesme e studentëve është ajo që pëson më së shumti prej kësaj logjike. Tek më e fundit 25 euro për semestrin bachelor nuk janë të mëdha, mirëpo këtu hyjnë pastaj: Blerja e librave, pagesat administrative, udhëtimi nëse dikush duhet të dalë dhe të kryej ndonjë pune në Fakultet, pastaj kemi masterin, 150 euro semestri, pagesa për hyrje në provime, të gjitha këto siç duket nuk i kanë mjaftuar Qeverisë qe edhe neve të na fus në pakon emergjente.”, tha Hasani.

Edhe Driton Brajshori, student i Fakultetit Teknik për lajmi.net është shprehur se për studentët do të ishte ndihmesë e madhe nëse lirohen nga pagesa e semestrit dhe nga pagesat e tjera.

“Po normal. Me na e liru pagesën ose me na e hekë krejt për këtë vit nuk ish kanë keq. Edhe na jemi prekë nga pandemia, verës s’kemi punu, s’jemi as tash duke punu, por shumica e studentëve edhe nuk punojnë, pastaj prindërit e kanë edhe një barrë shtesë për fëmijët e tyre, vërtetë do të ishte ndihmesë.”, tha Brajshori.

Për rëndësinë e lirimit nga pagesa ose të reduktimit të pagesës për semestër edhe Erseka Maxhuni nga Fakulteti i Mjekësisë thotë se do t’i motivonte studentët për punë dhe do t’i lironte nga një brengë.

“Po sigurisht, do të ishte mirë sepse do liroheshim nga brenga e pagesës dhe do të fokusoheshim në pjesën akademike e profesionale.”, tha ajo.

Ndërkohë, qeveria e Kosovës së fundmi ka implementuar masën e Rimëkëmbjes Ekonomike ku ka ndihmuar bizneset me nga 290 euro për secilin punëtor të regjistruar në kompani.

Po ashtu, qeveria parasheh që me masat e Pakës së Rimëkëmbjes Ekonomike të vazhdojë përkrahja e bizneseve por edhe e personave fizikë, punëtorëve dhe familjeve me asistencë sociale, por studentët nuk janë përmendur ndonjëherë.

Nuk dihet nëse Ministria e Arsimit dhe Shkencës ose Qeveria e Kosovës do të marrin vendim për lirim nga pagesa të studentëve të niveleve të ndryshme në Universitetin e Prishtinës, por sipas asaj që dihet deri më tani, kjo nuk ka ndodhur.