Oda e Afarizmit: Funksionalizimi i Gjykatës Komerciale është nevojë e menjëhershme për bizneset

Oda e Afarizmit të Kosovës e sheh si nevojë e menjëhershme funksionalizimin e Gjykatës Komerciale pasi që do t’i shërbejë komunitetit të biznesit vendor dhe investitorëve të huaj si një adresë e vetme, efikase dhe e specializuar për t’i zgjidhur kontestet nga aktivitetet e tyre biznesore.

OAK vlerëson se një nga arsyet e mosardhjes së investitorëve të huaj është pikërisht edhe zvarritja e procedurave gjyqësore.

Zëdhënësja e OAK, Fjolla Smaili, tha se bizneset në Kosovë përballen me probleme të shumta e një prej tyre është mungesa e një gjykate komerciale, e cila do të merrej specifikisht me problemet e bizneseve.

Reklama e sponzorizuar

Ajo tha se aktualisht në rastet kur bizneset ballafaqohen me ndonjë kontest juridik, ato duhet t’i drejtohen Gjykatës Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamentit për Çështje Ekonomike dhe atij për Çështje Administrative, e të cilat tha se për shkak të ngarkesës së tepërt që kanë marrin shumë kohë deri në zgjidhjen e këtyre lëndëve gjyqësore.

“Të gjitha rekomandimet e deritanishme të komunitetit të biznesit në vend dhe të investitorëve potencialë e favorizojnë krijimin e Gjykatës Komerciale, e cila mund të garantojë mjete efektive juridike për trajtimin e të gjitha lëndëve nga fusha e drejtësisë komerciale. Funksionalizimi i kësaj gjykate, konsiderojmë, se do t’i shërbejë komunitetit të biznesit vendorë dhe investitorëve të huaj si një adresë e vetme, efikase dhe e specializuar për t’i zgjidhur kontestet nga aktivitetet e tyre biznesore”, tha ajo.

Smaili prezantoi edhe të dhënat e siguruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës lidhur me lëndët e pazgjidhura në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamentin për Çështje Ekonomike, ku tha se ky numër është 1344 lëndë, ndërsa në Gjykatën e Apelit numri i lëndëve të pazgjidhura është 300.

Ndërsa, tha se numri i lëndëve që janë pranuar në nëntëmujorin e këtij viti në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin për Çështje Ekonomike është 463 lëndë. Përderisa, numri i lëndëve të zgjidhura në këtë nëntëmujor, sipas saj është 227, ashtu që numri i lëndëve të cilat pranohen është deri trefish më i madh se numri i lëndëve që zgjidhen duke i përjashtuar lëndët e trashëguara nga vitet paraprake.

Ndërkaq, Diellza Zeqiri, zyrtare ligjore në OAK, ka prezantuar rekomandimet sa i përket Projektligjit për Gjykatën Komerciale. Ajo tha se Gjykata Komerciale e rrit sigurinë juridike për bizneset vendore dhe investimet e huaja.

“Një nga arsyet e mosardhjes së investitorëve të huaj është pikërisht edhe zvarritja e procedurave gjyqësore, e një farë forme edhe pamundësia e realizimit të të drejtave në procedura gjyqësore. Oda e Afarizmit të Kosovës ka pasur takime me grupin punues të Ministrisë së Drejtësisë, duke kontribuuar me dhënien e rekomandimeve lidhur me krijimin e Gjykatës Komerciale. Oda e Afarizmit të Kosovës rekomandon që të rregullohet çështja e kalimit të të gjitha lëndëve ekonomike në Gjykatën Komerciale, si dhe të përcaktohen afate kohore, ashtu që lëndët në këtë gjykatë të zgjidhen brenda afateve kohore të arsyeshme, duke respektuar nenit 6 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, e cila përcakton kohën e arsyeshme të zgjedhjes së rasteve konkrete ligjore, konventë kjo e cila sipas Kushtetutës, zbatohet drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës”, tha ajo.

Zeqiri tha se Projektligji përcakton që Gjykata Komerciale do të ketë së paku 20 gjyqtarë, nga të cilët jo më pak se 13 do të shërbejnë si gjyqtarë në dhomat e shkallës së parë dhe jo më pak se gjashtë do të shërbejnë si gjyqtarë në dhomat e shkallës së dytë.

Për këtë, ajo tha se si OAK rekomandojnë që Gjykata Komerciale të ketë së paku 40 gjyqtarë.

“Oda e Afarizmit të Kosovës rekomandon që Gjykata Komerciale të ketë së paku 40 gjyqtarë, nga të cilët jo më pak se 28 gjyqtarë, të gjykojnë në shkallë të parë dhe katër kolegë me nga tre gjyqtarë të gjykojnë në shkallë të dytë. Dihet se është një numër i madh i lëndëve të pazgjidhura në sirtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë, në të gjitha departamentet, përfshirë Departamentin për Çështje Ekonomike dhe Departamentin për Çështje Administrative, duke shtuar edhe lëndët Përmbarimore, si dhe Gjykatën e Apelit. Gjendja momentale është që në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Ekonomike, numri i gjyqtarëve të cilët gjykojnë është 5 gjyqtarë, ndërsa që në shkallë të dytë numri i gjyqtarëve 2 gjyqtarë, numër ky tejet i vogël, duke e krahasuar me numrin e lëndëve të cilat pranohen çdo dit dhe numrin e lëndëve të cilat presin të zgjidhen. Me qëllim që të jetësohet neni 9 i këtij Projektligji i cili parasheh që Gjykata Komerciale do të funksionojë në mënyrë të shpejtë dhe efikase për të siguruar zgjedhjen në kohë të kontesteve, Oda e Afarizmit të Kosovës rekomandon që të rritet numri i gjyqtarëve, pasi që me këtë numër të gjyqtarëve nuk do të jetë e mundur të arrihet qëllimi i themelimit të kësaj gjykate”, tha ajo.

Zeqiri prezantoi edhe rekomandimin e OAK sa i përket revizionit, ku tha se kërkojnë që si mjet i jashtëzakonshëm juridik të lejohet në kontestet me kusht që vlera e kontestit të jetë mbi 10 mijë euro.

“Po ashtu, ky Projektligj parasheh që revizioni lejohet në kontestet me kusht që vlera e kontestit të jetë mbi 1 milion euro. I njëjti përcakton që kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë nuk lejohen për kontestet që trajtohen nga Gjykata Komerciale. Oda e Afarizmit të Kosovës rekomandon që revizioni, si mjet i jashtëzakonshëm juridik, të lejohet në kontestet me kusht që vlera e kontestit të jetë mbi 10 mijë euro, ashtu si ka qenë e rregulluar deri më tani me Ligjin për Procedurë Kontestimore, te procedura në kontestet tregtare. Arsyeja pse Oda e Afarizmit të Kosovës rekomandon që vlera e kontestit të jetë më e vogël për përdorim të revizionit, është sepse me këtë dispozitë ligjore është duke u shkelur neni 32 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton të drejtën për përdorim të mjeteve juridike, ashtu që kjo dispozitë ligjore po e kufizon të drejtën për përdorim të mjeteve të jashtëzakonshme juridike, duke përcaktuar vlerë tepër të lartë të objektit të kontestit juridik, ose edhe neni tjetër i cili ndalon përdorimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, si mjete të jashtëzakonshme juridike”, tha ajo.