Biznes ‘vëllazëror’ me barriera tregtare

Bizneset kosovare vazhdojnë të përballen me pengesa të shumta me rastin e eksportit të mallrave në tregun shqiptar. Ndonëse deri më tani janë nënshkruar gjithsej 70 marrëveshje mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku shumica prej tyre janë me përmbajtje ekonomike e tregtare, zbatimi ka mbetur vetëm në letër.

Mirjeta Shabani

Ndër pengesat kryesore që janë identifikuar deri më tani, kanë të bëjnë me dyfishimin e procedurave për mallrat që kalojnë tranzit në territorin e Shqipërisë, pagesat për skanim të mallrave në portin e Durrësit pavarësisht destinacionit final, tarifa e lartë rrugore, çmimet referente, akcizat diskriminuese, dokumentacione shtesë sanitare dhe fitosanitare e shumë të tjera.

Reklama e sponzorizuar

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, ka thënë për Buletinin Ekonomik se pengesat më të shumta për eksportuesit kosovarë kanë të bëjnë kryesisht me barriera jotarifore, të cilat vazhdimisht hasen në tregun e Shqipërisë, përkundër marrëveshjeve të shumta që kanë mbetur akoma pa zgjidhje. Ai përmendi si pengesë çështjet që kanë të bëjnë me njohjen e certifikatave të ndryshme, testeve të ndryshme laboratorike, pastaj edhe diskriminimeve të caktura për disa produkte të caktuara, si dhe pritjet e shumta në kufi. Një shembull konkret sipas Rukiqit, është edhe rasti me birrën e Pejës, me ç’rast përdoret një akcizë, e cila është vetëm për prodhuesit e birrës që janë të nivelit botëror, dhe çuditërisht edhe tregu shqiptar aplikon këtë akcizë edhe për birrën Peja.

“Kryesisht janë probleme që lidhen me barriera jotarifore, të cilat vazhdimisht hasen në tregun e Shqipërisë, edhe të cilat nuk është se kanë marrë zgjidhje pavarësisht edhe shumë marrëveshjeve dhe diskutimeve apo edhe si të themi vullnetit të shprehur së paku gojarisht. Tash, problemet lidhen me çështje që kanë të bëjnë me njohjen e certifikatave të ndryshme, testeve të ndryshme laboratorike, pastaj diskriminimeve te caktuara për produkte të caktuara. P.sh., e kemi rastin te birra, ku përdoret një akcizë, e cila është vetëm për prodhuesit e llojit të birrës, p.sh., që janë të nivelit botëror, çuditërisht e përfshin edhe birrën e Pejës”, tha Rukiqi.

Sipas një studimi nga Instituti GAP, me titull “Potenciali tregtar Kosovë – Shqipëri: pengesat dhe zbatimi i marrëveshjeve bilaterale”, në mars të këtij viti, ka rezultuar se megjithëse ka një progres të mirë në realizimin e marrëveshjeve tregtare në mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, ende shfaqen pengesa të cilat nuk rregullohen me këto marrëveshje, edhe pse pothuajse në të gjithë sektorët eksportues të Kosovës ka potencial për rritje të bashkëpunimit tregtar me Shqipërinë. Në anën tjetër, janë identifikuar një mori pengesash të cilat po e pamundësojnë shfrytëzimin e këtij potenciali. Këto pengesa, sipas studimit, janë kryesisht të karakterit teknik mirëpo në raste specifike ato shfaqen edhe në formë të barrierave tarifore.

Ndërkohë, edhe nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, vlerësuan se eksportet e të dyja vendeve janë të vështirësuara për shkak të burokracisë dhe për shkak të fuqive të disa korporatave të mëdha që i bëjnë konkurrencë njëra tjetrës. Agim Shahini, kryetar i AKB-së, tha se prodhuesit mes vete kanë disa probleme që i përdorin dhe në këtë mënyrë po bëhet edhe më problematike dhe e pajustifikueshme bartja e disa mallrave të Kosovës në Shqipëri dhe anasjelltas. Pra, disa produkte kanë probleme të vijnë në Kosovë nga Shqipëria, dhe disa të tjera kanë probleme të shkojnë në Shqipëri.

Produktet të cilat hasin më së shumti në barriera tregtare në tregun shqiptar janë kryesisht ato produkte me përmbajtje bimore dhe shtazore, të cilat Kosova i ka me bollëk, thonë nga AKB-ja. Edhe pse sipas tyre, nuk ka vështirësi shumë të mëdha, pasi 98% e tregut është i liberalizuar në të dyja vendet.

“Janë disa produkte të cilat tregu shqiptar i ka me bollëk, dhe ato janë disa produkte bimore dhe disa shtazore, por nuk mund të themi se ka vështirësi të mëdha, kur mbi 98% të tregut në të dy anët është i liberalizuar”, u shpreh Agim Shahini.

Ndërsa Rukiqi nga OEK-u, tha se kanë pasur raste me disa probleme për produkte të plastikës, produkte të ndryshme bujqësore dhe disa produkte që janë nga industria e ushqimit, që kanë hasur në vështirësi me rastin e eksportit.

50% e marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri, ende pa zbatim

Deri më tani, sipas Shahinit të AKB-së, mbi 70 marrëveshje tregtare janë nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë, por mbi 50% prej tyre mbeten ende të parealizuara.

Sfida në zbatimin e këtyre marrëveshjeve gjithmonë ekzistojnë, sipas AKB-së. Shahini u shpreh se “legjislacioni në këtë kohë në Kuvend të Kosovës është vështirë për të ndryshuar, sepse nuk janë votat, dhe po ashtu në Shqipëri, kjo është një nga vështirësitë e mospërgjegjësisë së votave të deputetëve dhe Kuvendit në miratimin e ligjit”.

Ndërkaq, Rukiqi tha se për marrëveshjet nuk ka ndonjë matës të saktë për shkak se ende nuk ka ndonjë indikator që përfaqëson implementimin e marrëveshjeve. Sipas tij, normalisht në aspektin formal, të zyrtarizimit, të strukturave të ndryshme ka, por pastaj kur vjen puna te zbatimi praktik i tyre shumë prej tyre ngecin.

Rukiqi u sqarua tutje se në zbatimin e marrëveshjeve sigurisht që ka sfida, për shkak se janë dy lloj ekonomish të ndryshme, nuk janë ekonomi të njëjta, janë dy lloj strukturash të ndryshme, si dhe ka grupe të interesit të caktuara, të cilat mund të paraqiten si sfidë.

Shqipëria, vendi i parë sa i përket eksporteve dhe i pesti për importe

Në bazë të të dhënave të Eurostat, që janë paraqitur në studimin e GAP-it, në vitin 2018 Kosova kishte në total importe prej 3.3 miliardë euro dhe eksporte prej vetëm 329.5 milionë eurove. Partneri tregtar kryesor i Kosovës gjatë vitit 2018 ishte Serbia me një shkëmbim total të mallrave prej 419.9 milionë euro, ndërsa Shqipëria zinte vetëm vendin e pestë më vlerë totale të mallrave të shkëmbyera prej 270.7 milionë euro. Rezultati gjithsesi se ndryshon nëse konsiderohet vetëm ana e eksporteve, ku Shqipëria është destinacioni i parë i mallrave të Kosovës që në vitin 2018 arritën 65.9 milionë euro apo 20% të eksportit total të Kosovës. Mirëpo, nga perspektiva e importeve, Shqipëria renditet vendi i pestë prej të cilit Kosova importoi mallra me vlerë prej 204.8 milionë euro në vitin 2018 apo 6.1% të importit total, ndërsa vendi i parë ishte Gjermania prej të cilit Kosova importoi 391.6 milionë euro në 2018 apo 11.8% të importit total. Edhe gjatë periudhës 2004-2018, Shqipëria ishte kryesisht destinacioni i parë i eksporteve të Kosovës, ndërsa importet prej Shqipërisë gjithmonë përballeshin me konkurrencë prej shteteve tjera Evropiane dhe Kinës.

Edhe prej një perspektive rajonale të shteteve anëtare të CEFTA-ss, Serbia është poashtu partneri tregtar kryesor i Kosovës, ndërsa Shqipëria zë vendin e dytë. Megjithatë, prej anës së eksporteve të Kosovës, Shqipëria mbeti destinacioni kryesor gjatë vitit 2018. Vendin e dytë e zë Maqedonia e Veriut ku u eksportuan mallra me vlerë prej 41.5 milionë euro (11.9% të eksporteve totale), ndërsa vendin e tretë e zë Serbia ku u eksportuan mallra me vlerë prej 32 milionë euro (12.6% të eksportit total). Në anën e importeve të Kosovës, Serbia zuri vendin e parë gjatë vitit 2018 prej ku u importuan mallra me vlerë prej 388 milionë euro (11.6% të importeve totale), vendin e dytë e zuri Shqipëria prej ku u importuan mallra me vlerë prej 204.8 milionë euro (6.1% të importeve totale), ndërsa vendin e tretë e zuri Maqedonia e Veriut prej ku u importuan mallra me vlerë prej 170.8 milionë euro (5.1% të importeve totale).

Edhe pse trendi i eksporteve ishte pozitiv gjatë shumicës së periudhës 2005-2018 për të dyja shtetet, deficiti tregtar në mes tyre është rritur vazhdimisht që nga viti 2008, thotë studimi. Gjatë vitit kur Kosova dhe Shqipëria u anëtarësuan në CEFTA (2007) Shqipëria eksportoi mallra me vlerë prej 17 milionë euro më shumë se sa Kosova në Shqipëri. Për krahasim, në vitin 2018 deficiti tregtar në mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte rritur në 139 milionë euro, gjë që është tetë fish më i lartë se në vitin 2007.

Eksporti në Shqipëri nga sektori i prodhimit të Kosovës në mallra si: pijet, produktet ushqimore, apo edhe produktet metalike, është zvogëluar gjatë periudhës 2009-2013 nga 18.1 milionë euro në vitin 2009 në 9.4 milionë euro në vitin 2013. Mirëpo, pas vitit 2013 eksportet filluan të rriten dhe në vitin 2018 vlera e tyre arriti 45.4 milionë euro apo katër herë më shumë se sa në vitin 2013. Në anën tjetër, importi në Kosovë i mallrave të sektorit të prodhimit të Shqipërisë si për shembull metalet bazë, koksi dhe produktet e naftës, dhe produkte të tjera jo-metalike, janë rritur dukshëm prej 43.4 milionë euro në vitin 2009 deri në 202.9 milionë euro në vitin 2019, përjashtuar vitin 2016 që pa një ulje të importeve të këtij sektori.

Gjithashtu, në nivelin e produkteve specifike të tregtuara në bazë të kodeve individuale tarifore të tyre, ndër mallrat më të eksportuara të Kosovës dominojnë artikujt e metaleve bazë, apo produktet prej tyre si për shembull mbetjet ferrike apo alumini, ose tuba metali. Kosova eksporton në Shqipëri edhe produkte bujqësore si miell gruri ose patate, kurse Kosova importon nga Shqipëria kryesisht produkte të metaleve bazë si për shembull shufra metali apo alumini, dhe produkte me bazë minerale, si për shembull vajra të naftës, çimento portland, apo koks nafte. Gjithashtu importohen edhe artikuj bujqësor si domate apo agrume, si dhe disa artikuj sanitar.

Megjithëse ka një progres të mirë në realizimin e marrëveshjeve, sipas raporteve e studimeve të shumta, ende shfaqen pengesa për eksportuesit kosovarë dhe anasjelltas, si: harmonizimi i akcivave, taksa të brendshme, çështje të sundimit të ligjit, apo mungesa e besimit në mes bizneseve, të cilat nuk janë adresuar në këto marrëveshje. /Buletini Ekonomik/