Investimi në linjën e re të interkoneksionit Shqipëri-Kosovë, shlyhen 22 milionë euro nga kredia

Shqipëria ka shlyer më shumë se gjysmën e kredisë prej 42 milionë eurosh që ka marrë për ndërtimin e Linjës së interkoneksionit Shqipëri-Kosovë, e cila ende nuk është vënë në punë edhe pse investimi ka përfunduar.

Mosmarrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë bërë që investimi i përfunduar prej më shumë se tre vitesh të mos shfrytëzohet për shkëmbimin e energjisë ndërmjet dy shteteve, teksa taksapaguesit shqiptarë po paguajnë çmimin e investimit. Ndonëse disa herë është sinjalizuar se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen, ende linja nuk ka nisur të funksionojë.

Qeveria e Shqipërisë në vitin 2009 nënshkroi marrëveshjen e kredisë 42 milionë euro me KfW Gjermane, për të fuqizuar kapacitetet e shkëmbimit të energjisë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës me ndërtimin e një linje të re interkoneksioni. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave deri më tani ne shtator 2020 janë shlyer 22 milionë euro nga kredia, teksa stoku i mbetur është edhe 20 milionë euro. Pjesa e mbetur do të shlyhet deri në vitin 2024.

Reklama e sponzorizuar

Linja e transmetimit Shqipëri-Kosovë, u ka kushtuar financave të dy shteteve rreth 70 milionë euro. Projekti ka përfunduar dhe duhet të niste nga puna gjatë vitit 2016, por sot e kësaj dite nuk është vënë në punë.

Sipas zhvillimeve të deritanishme, linja e transmetimit të energjisë, Shqipëri-Kosovë, është çështje e komplikuar teknike dhe politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila pritet të zgjidhet as me ndërhyrjen e institucioneve evropiane rregullatorë të energjisë.

Humbjet vjetore nga të ardhurat e munguara nga mosfunksionimi i linjës janë 500 mijë – 1 milion euro në vit në varësi të volumeve të tregtimit, por më e keqja është se mosfunksionimi i kësaj linje pengon seriozisht funksionimin e tregut ballkanik të transmetimit.

Nga ana tjetër, Operatori Kosovar i Transmetimit humb në një vit fiskal rreth 14 milionë euro, duke mos vjelë tarifat e transmetimit ndërkufitar të energjisë, të cilat shkojnë në arkën e operatorit serb, EMS. Humbjet vjetore të përbashkëta, sipas burimeve zyrtare, llogariten në 15 milionë euro, pa përfshirë këstet e borxhit që qeveritë në të dyja shtetet kanë nisur të shlyejnë.

Linja e re e transmetimit të energjisë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës do të rriste garancitë e furnizimit të vendit me energji, duke ndikuar edhe në uljen e kostove të importit.

Sakaq, mosfunksionimi i linjës ka sjellë pengesa në krijimin e tregut të përbashkët rajonal të energjisë. /Monitor/