Në Mitrovicë vazhdon tregu i kafshëve pavarësisht vendimeve të Qeverisë

Në kohën kur qeveria e vendit ka marrë vendim për shkak të gjendjes pandemike që të ndalohet veprimtaria e tregjeve publike të kafshëve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në rrugët afër tregut të qytetit të Mitrovicës vazhdojnë të shiten pula, lepuj e kafshë tjera, ndërsa inspektorët dhe policia shëtisin me automjetet e tyre përskaj këtyre rrugëve dhe bëhen sikur nuk shohin asgjë.

Qytetarët shprehen të shqetësuar dhe të rrezikuar tejmase sepse pulat prehen nëpër këto rrugë pa asnjë kriter.

Bedri Syla, qytetar i Mitrovicës, thotë për KosovaPress se kjo që po ndodhë është tmerr që s’kishte dashur ta shoh as në rrugët e shteteve më të pazhvilluara në botë. Sipas tij, në këto kohë të vështira pandemie, dhe në këtë mënyrë, ky virus vdekjeprurës mund të shpërndahet shumë lehtë, ndërsa fajëson organet komunale për një gjë të tillë.

Reklama e sponzorizuar

“Pamje të tilla nuk kisha dashur të shoh as në Afganistan dhe në shtetet tjera më të pazhvilluara në botë. Shikoni qysh prehen pulat në rrugë, derisa qeveria ka lejuar therjen e kafshëve vetëm në ambientet e autorizuara për këtë qëllim. Kjo rrezikon seriozisht përhapjen e këtij virusi që ka goditur botën. Fajet i kanë organet komunale, inspektorati, por edhe policia që nuk i ndalon”, ka thënë Syla.

Shpresa, një mitrovicase tjetër, thotë se nuk ka shtet dhe këtu nuk funksionon ligji.

“Për fat të keq kjo situatë vetëm sa konfirmon se nuk kemi shtet dhe në Kosovë nuk funksionon ligji”, tha ajo.

KosovaPress-i ka provuar të kontaktojë me kryeinspektorin komunal, Fidan Ademi, për të marrë një deklaratë rreth kësaj çështje, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur./ kp