Kthehet prapa projekt-buxheti, Hekuran Murati sqaron pozicionin e VV’së

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, e ka cilësuar projekt-buxhetin për vitin 2021 si të mangët, për të cilin ka kërkuar plotësim nga ana e qeverisë. Projekt-buxheti është prezantuar përgjatë ditës së sotme në Komisionin për Buxhet dhe Transfere.

Murati, përmes një postimi të tijin në ‘Facebook’ ka thënë se projekt-buxheti i prezantuar ka shkurtime buxhetore në shëndetësi, arsim dhe kulturë, andaj si i tillë, duhet të përmirësohet.

“Shkurtim i buxhetit në shëndetësi, arsim e kulturë – ky është projekt-buxheti për vitin 2021 që na u prezantua sot në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, përkundër fjalimeve e premtimeve të qeverisë ilegale se prioritet e kanë shëndetësinë dhe mirëqenien e qytetarëve”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka rikujtuar edhe se nuk ka pasur kuorum për votimin e këtij projektligji.

“Marrë parasysh që ky projektligj ka defekte dhe shkelje ligjore, por edhe keqorientim të prioriteteve, të cilat nuk ka mundësi të rregullohen me amandamente, Kuvendi duhet t’a kthejë prapa këtë projektligj, në mënyrë që të bëhen përmirësimet e nevojshme, e tek pastaj të shqyrtohet për miratim”, potencoi tutje ai.

Ndryshe, më herët është paralajmëruar se mbi 200 milionë euro më pak do t’i ketë i vitit 2021.

Sido që të jetë, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, paralajmëroi se përgjatë 2021’ës, ekonomia pritet të ketë rritje për 5.2 për qind.