Bitcoin drejt rekordeve historike, disa parashikojnë çmime marramendëse

0
4

Çmimi i kriptomonedhës më të famshme në botë, Bitcoin, arriti të mërkurën në 18 mijë dollarë, duke pësuar një rritje të konsiderueshme ditët e fundit.

Trendi i rritjes së çmimit lë të kuptohet se shumë shpejt mund të arrihet edhe rekordi historik i monedhës virtuale, që është pak më pak se 20 mijë dollarë. Një tjetër rekord që ka gjasa të arrihet është vlera e monedhave në qarkullim, pasi deri tani shifra ka arritur në 300 miliardë dollarë.

Vlera e Bitcoin thuajse është dyfishuar përgjatë këtj viti, dhe sipas ekspertëve kjo ka ndodhur për disa arsye.

Bitcoin, sikurse edhe ari, ka përfituar nga dobësimi i dollarit. Investitorët kanë filluar ta shohin kriptomonedhën si një alternativë më të mirë ndaj kartmonedhave që mbështeten nga qeveritë e vendeve të ndryshme. Dollari, ndërkohë, mund të vijojë të mbetet në këto ujëra edhe për pak kohë, sidomos pas parashikimeve të ekspertëve që Rezerva Federale do të mbajë në 0 normën e interesit për një kohë të pacaktuar.

Por një tjetër ekspert, Mike Novogratz, i cili drejton një kompani të bazuar tërësisht në “kriptoasete”, të quajtur Galaxy Digital, tha të mërkurën për CNBC se mendonte që vitin e ardhshëm, çmimi i Bitcoin mund të arrijë deri në 60 mijë dollarë. Ndërsa një tjetër ekspert, hartues strategjish për Citi Bank, shkroi këtë javë në një raport se deri në fund të vitit 2021 çmimi për 1 Bitcoin mund të arrijë deri në 318 mijë dollarë.

Megjithatë, këto janë vetëm parashikime. Në të kaluarën, çmimi i kriptomonedhës është luhatur shpesh, me raste edhe brenda pak orëve, madje edhe minutave, siç ndodhi në mars, kur ekonomia amerikane u ndal për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Lini një koment!