MF-ja përgënjeshtron Ahmetin se në BQK ka 1 miliard euro

Ministria e Financave ka përgënjeshtruar kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, se Qeveria e Kosovës në Bankën Qendrore i ka 1 miliard euro.

Përmes një sqarimi MF-ja ka thënë se sipas të dhënave zyrtare të Thesarit të datës 17 nëntor, që bazohen në gjendjen e llogarive të BQK-së, bilanci bruto bankar është 459.77 milionë euro, që përmban mjete (rreth 134 milionë euro) të cilat përcaktohen si detyrime dhe nuk janë fonde të Qeverisë, por që menaxhohen nga ajo.

“Këto fonde janë: të hyrat vetanake të komunave, të hyrat e dedikuara, fondet në mirëbesim, mjetet nga huamarrja, grantet dhe donacionet, etj., të cilat bëjnë që bilanci bankar i shfrytëzueshëm (neto) i Qeverisë të jetë 325.67 milionë euro. Sipas rregullës fiskale, pragu minimal i bilancit neto (limiti i poshtëm) për vitin 2020 që duhet të mbahet (të mos shpenzohet) nga Qeveria e Kosovës është 213 milionë. Pra, në momentin që po e bëjmë këtë sqarim, janë 112.66 milionë Euro (325.66 bilanci neto – 213 minimumi i lejuar sipas rregullës fiskale) që mund të përdoren për shpenzime buxhetore. Pra, kjo shumë përfaqëson mjetet të cilat janë në dispozicion për shpenzim (bilanci i shfrytëzueshëm) dhe shpenzohen në pajtim me ndarjet buxhetore në Ligjin e Buxhetit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thuhet nga MF-ja. “Gjendja e bilancit bankar bruto dhe atij të shfrytëzueshëm raportohet në baza ditore nga Thesari i Republikës së Kosovës, një kopje e të cilit i shkon edhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Po ashtu, këto të dhëna prezantohet në raportet tremujore financiare të cilat publikohen në faqen e Ministrisë së Financave, kurse në mënyrë të zgjeruar shpalosen në pasqyrat vjetore financiare të Buxhetit të Republikës së Kosovës, të cilat i nënshtrohen auditimit vjetor dhe për të cilat asnjëherë nuk ka pasur vërejtje”.

Reklama e sponzorizuar

Ahmeti: Qeveria e Kosovës i ka të mbledhura në Bankë Qendrore më shumë se 1 miliard euro

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se Qeveria e Kosovës deri më sot i ka të mbledhura në banka qendrore nga ATK-ja dhe Doganat, e të pashpenzuara më shumë se 1 miliard euro.

Ahmeti ka shkruar në Facebook se derisa në krejt botën po merret kredi për të futuar kapitan të shumënevojshëm në ekonomi, në Kosovë janë marrë para nga ekonomia dhe po mbahen në bankë. Pra, përveç krizës është marrë nga qytetarët dhe nuk është gjetur mënyrë të kthehen ato.

“Paradoksi më i madh i situatës në Kosovë që ka pasoja marramendëse tek ne! Shteti/qeveria i/e Republikës së Kosovës i ka në bankë qendrore të mbledhura nga ATK e Doganat e të pashpenzuara sot më 18 Nëntor 2020 më shumë se 1 (miliardë) Euro. Po, Po mirë e lexuat – 1 MILIARDË EURO! Prej vendimeve që qeverisë së kaluar për ndalimin e Investimeve Kapitale e deri te moslëvizja e qeverisë së tanishme janë akumuluar fonde marramendëse. Kur teoria kryesore në krejt botën është e shpenzimeve e kërkesës agregate, ne kemi shkuar në drejtimin e kundërt me kursime. Krejt bota merr kredi për të futur kapital të shumënevojshëm në ekonomi, ne kemi marr para nga ekonomia dhe po i mbajmë në bankë. PRA, përveç krizës ne kemi marr nga qytetarët dhe nuk kemi gjet mënyrë me e kthy. Ne s’paskemi nevojë as të kreditohemi as të shpikim shpenzime e transfere nga trusti. Vetëm gjysma e këtyre fondeve të kthehej në këtë periudhë përmes programeve kreative do të kishte ndikim të madh. Nuk është koha për konzervatizëm e kontabilitet. Është koha për kreativitet e shpenzim”, ka shkruar Ahmeti.