Bizneset detyrohen të paguajnë kosto shtesë për arka fiskale

0
56

Bizneset kosovare vazhdojnë të paguajnë çmime marramendëse për t’u pajisur me një arkë fiskale. Mirëpo, kjo nuk është kostoja e vetme që ato paguajnë, pasi çmime të larta po zbatohen edhe pas blerjes së tyre në emër të mirëmbajtjes.

Mirjeta Shabani

Buletini Ekonomik ka hulumtuar rreth problemeve që disa biznese kanë hasur me rastin e blerjes se këtyre pajisjeve dhe kostot shtesë që duhet të paguajnë për mirëmbajtje.

Sipas bizneseve, kompanitë përgjegjëse për shitjen dhe mirëmbajtjen e arkave fiskale në vend po aplikojnë çmime shumë të larta për shitjen e tyre e gjithashtu edhe çmimi i mirëmbajtjes më pas është i lartë dhe barrë e madhe për bizneset.

F.S. nga biznesi “RENT A CAR” AUTO sh.p.k., ka thënë për Buletinin Ekonomik se vetëm arka fiskale për biznesin e tij i ka kushtuar 325 euro dhe ka qenë opsioni më i lirë. Ndërkohë, mirëmbajtja e saj vitin e parë i ka kushtuar 100 euro kurse në vitin e dytë 70 euro.

“E para arka fiskale është shumë e shtrenjtë dhe është barrë e madhe për biznesin duke e pasur parasysh që një arkë të tillë mundesh me e ble në Kinë me një çmim simbolik, e përveç çmimit edhe çmimi i mirëmbajtjes është shumë i lartë”, u shpreh F.S.

Numri i përgjithshëm i Operatorëve Ekonomik të Autorizuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) me të drejtë shitje, instalimi dhe mirëmbajtje të Pajisjeve Elektronike Fiskale në Kosovë është vetëm  katër, thonë nga ATK-ja. Ato janë: “GEKOS” Sh.p.k., “Dukagjini” Sh.p.k, N.T.SH. ” Enternet “ dhe “Service Global” për derivate.

Por, ndonëse të autorizuar nga vet ATK-ja, kjo e fundit nuk ua përcakton edhe çmimin e shitjes dhe mirëmbajtjes së arkave. Çmimi për arkat fiskale në Kosovë përcaktohet në bazë të tregut të lirë dhe përcaktohet nga vet Operatorët Ekonomik, pra në këtë rast nga GEKOS-i, Dukagjini, Enternet dhe Service Global.

“ATK nuk është autoriteti i cili i cakton çmimet për Pajisje Elektronike Fiskale(PEF) qoftë për instalim apo mirëmbajtje të Pajisjeve Elektronike Fiskale, çmimi është i përcaktuar sipas tregut të lirë dhe përcaktohet nga vetë Operatorët Ekonomik. Tatimpaguesi është ai i cili vendos se nga cili Operator Ekonomik to të pajisjet me PEF. Para se të përgatitet dhe instalohet një PEF Tatimpaguesi dhe Operatori Ekonomik e bëjnë një marrëveshje/kontratë mes vete lidhur me obligimet dhe detyrimet”, sqaroi tutje udhëheqësja e Divizionit për Komunikim me Media, Valentina Bytyqi Sefa nga ATK-ja.

Ndërkohë, në bazë të ‘mbikëqyrjes’ dhe informatave që ATK-ja ka marrë nga Operatorët Ekonomik, kostoja 2 vjeçare për një Pajisje Elektronike Fiskale në Kosovë është përafërsisht nga 170 deri rreth 220 euro.

E në anën tjetër, nga bizneset që kanë paguar tanimë për një arkë të tillë, thonë se çmimi është edhe më i lartë, duke paraqitur kështu një çmim prej 325 eurosh, madje thonë se arka e blerë me këtë çmim ishte më e lira.

Por, ky nuk po del të jetë problemi i vetëm që bizneset po përballen.

Buletini Ekonomik ka gjetur disa biznese që kanë thënë se arkën fiskale e kanë blerë në ‘Dukagjin’, kurse mirëmbajtjen e tyre më pas e kanë kryer në kompaninë tjetër ‘GEKOS’, duke lënë të nënkuptohet se këta dy operatorë kanë lidhur marrëveshje mes veti që njëra palë të merret me shitjen e tyre kurse pala tjetër me mirëmbajtjen e arkave.

E në lidhje me këtë çështje, nga ATK-ja thonë se kanë pasur raste kur Operatorët Ekonomik kanë marrëveshje në mes vete që t’i shfrytëzojnë hapësirat apo zyrat e përbashkëta për të kryer shërbime për Tatimpagues lidhur me Pajisjet Elektronike Fiskale.

“Po ashtu kemi raste kur një Teknik është i Autorizuar për dy apo më shumë Operator Ekonomik, pra i njëjti Teknik i certifikuar dhe Autorizuar mund të instalon dhe mirëmban Pajisjet Elektronike Fiskale për OE nga të cilët është i autorizuar”, thanë nga ATK-ja.

Nga “Dukagjini” dhe “GEKOS” nuk kanë pranuar të flasin rreth këtyre pretendimeve, edhe pas insistimeve të shumta.

F.S., nga “RENT A CAR”, shtoi tutje se ka pasur edhe shumë raste tjera që kompania përveç mirëmbajtjes kur X biznesi ka pasur ndonjë problem me arkë, ka aplikuar edhe kosto shtesë në emër të ndonjë rregullimi në arkë.

Ndryshe, rreth 10 vite më parë, Qeveria e Kosovës atëkohë kishte marrë një vendim të rëndësishëm për bizneset vendase, në bazë të të cilit bizneset e mëdha detyroheshin që të pajiseshin me arka fiskale dhe tek më pas do t’iu vinte radha edhe bizneseve të vogla.

Pajisja e këtyre bizneseve me arka fiskale do të bëhej përmes dy shitësve të licencuar atëherë, që ishin “GEKOS” Sh.p.k. dhe “Dukagjini” Sh.p.k., të cilët ende vazhdojnë veprimtarinë e tyre edhe sot e kësaj dite. Kësaj liste të shitësve të arkave, më vonë do t’i shtoheshin edhe dy konkurrentë të tjerë si: N.T.SH. ”Enternet “ dhe “Service Global” për derivate, që të gjitha tanimë të licencuara nga ATK-ja.

Ky vendim ishte marrë me qëllimin e vetëm që Qeveria t’i vinte nën kontroll tatimpaguesit dhe në këtë mënyrë të minimizonte shmangiet e obligimeve tatimore nga bizneset. Rezultat i këtij vendimi pritej të ishte edhe luftimi i ekonomisë joformale në Kosovë. Por, që në fillim bizneset kishin shprehur pakënaqësi në lidhje me detyrimin për pajisje me arka fiskale, për shkak të kosove të larta të blerjes së arkave nga operatorët. /Buletini Ekonomik/

Lini një koment!