“Gjendja është e rëndë” – Këto pritet të jenë masat e reja anti-covid

0
8

Drejtori i Departamentit të Komunikimit me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës, Faik Hoti deklaroi se situata e COVID-19 në këtë shtet është serioze.

Sipas tij duhet të rishikohen edhe njëherë masat e marra nga qeveria në këtë kohë pandemie, pasi është rritur ndjeshëm numri i të infektuarve dhe viktimave.

“Situata këtu është e ngjashme si në shtetet e rajonit. Në Kosovë situata sa i përket COVID-19 reflekton të jetë tepër serioze, me një ngarkesë të kapaciteteve spitalore, më një numër të lartë të atyre që rezultojnë të pozitiv në COVID, me një parashikim që do kemi edhe për një kohë të gjatë shifra të tilla, që duhen menaxhuar.

Do të kërkojnë një rishikim të masave dhe të shohim se cilat kanë qenë edhe efektet e masave të marra deri më tani”, u shpreh ai për Euronews Albania.

“Mbetet ende shqetësim numri i rasteve pozitive dhe për ne është shqetësim numri i atyre që përfundojnë me fatalitet”, tha ai më tej.

Hoti nënvizoi se deri më tani është përballuar fluksi i të infektuarve në spitale.

“Po të jemi korrekt, ne e kemi parashikuar që në këtë kohë do të ketë një rritje të rasteve pozitive. Deri më tani e kemi përballuar fluksin, me të gjithë ngarkesat. Rreth 1/3 e rasteve trajtohen në Qendrën Klinike Universitare dhe klinikat e saj, ndërsa 2/3 trajtohen në 7 spitalet rajonale. Kemi një gjendje të ngarkuar, por deri më tani është menaxhuar”, u shpreh Hoti.

Më tej Hoti sqaroi se në Kosovë nuk ka ende një skemë ligjore për rimbursimin e barnave.

“Për fat të keq në Kosovë nuk funksionon ende skema e sigurimeve shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë të gjitha barnat që i siguron për shërbimet shëndetësore publike, bashkë me shërbimin spitalor dhe Klinikën Universitare në Kosovë i distribuon përmes shërbimeve mjekësore që i ofron klinika. Nuk ka një rimbursim të barnave të cilat pacientët i përdorin gjatë mjekimit shtëpiak. Nuk ka një skemë ligjore për rimbursimin e terapive në shtëpi”, u shpreh ai.

Lini një koment!