KOMPANITË E SIGURIMEVE ‘MALLTRETOJNË’ QYTETARËT, 218 ANKESA NË BQK

Numri i ankesave ndaj kompanive të sigurimit ka shënuar rritje.

Vetëm në periudhën janar-korrik të këtij viti, janë bërë 218 ankesa në Bankën Qendrore të Kosovës, raporton KTV.

Prej tyre 128 janë zgjidhur në dobi të qytetarëve, 81 janë refuzuar dhe 9 sosh janë ende në proces.

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa, në vitin e kaluar ka pasur 267 ankesa, pjesa dërrmuese e të cilave po ashtu janë zgjidhur në favor të qytetarëve.

Arsyeja e vonesës në pagesë të dëmeve, sipas kryetarit të Shoqatës së Kompanive të Sigurimeve, Sami Mazreku, është numri i madh i rasteve.

Sipas Mazrekut, negativisht në procesin e pagesave po ndikojnë edhe ngarkesat shtesë në tatimin mbi vlerën e shtuar që u janë ngarkuar kompanive.

Në 6-mujorin e parë të këtij viti kompanitë e sigurimeve kanë paguar 24 milionë euro dëme, prej tyre 15 milionë për sigurimin e obligueshëm të automjetit.

Ndërsa, gjatë vitit të kaluar 42 milionë euro, 14 milionë për sigurimin e detyrueshëm.

Por, vetëm gjatë këtyre muajve, 196 mijë kontrata janë lidhur për sigurimin e veturës, 44 mijë për sigurimin e lëvizjes së lirë me Maqedoninë dhe Serbinë, si dhe 700 kontrata për përgjegjësi personale.