Katër kandidatë i kishin plotësuar kriteret për t’u zgjedhur në pozitën e kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE). Por Qeveria e Kosovës ka vendosur që në Kuvend t’i dërgojë vetëm dy prej tyre, duke hequr kandidatin me më së shumti pikë, sipas rangimit të Ambasadës britanike në Kosovë, e cila ka marrëveshje me Qeverinë për emërimin e njerëzve kredibilë në pozita të larta, shkruan sot Koha Ditore.
Në komunikatën e datës 24 korrik, Zyra e kryeministrit kishte njoftuar se në mbledhjen e së njëjtës ditë, kabineti qeveritar ka miratuar katër kandidatë për këtë pozitë, të renditur sipas pikëve: Fadil Ismailin, Petrit Pepajn, Përparim Kabashin dhe Bekim Jakupin. Mirëpo, në vendimin e publikuar nga Qeveria, të propozuar për kryesues të Bordit të ZRRE-së, janë vetëm Petrit Pepaj dhe Bekim Jakupi.
Vendimi i tillë ka shtyrë Komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik që të mos i procedojë propozimet për votim në seancë. Deputetët që përbëjnë këtë komision kanë kërkuar sqarime shtesë nga Zyra e kryeministrit se pse janë hequr dy kandidatët nga lista.