Operatori i dytë më i madh në Shqipëri, “Telekom Albania”, është në shitje, ndërsa pritet që blerësi të jetë “Telekom Srbija”.
Në “Telekom Srbija” për të përditshmen serbe “Blic” kanë konfirmuar se janë të interesuar për blerjen e “Telekoma Albania”, që është në pronësi të “Deutsche Telekom”.
“Ky interesim është dëshmi e qëllimeve të ‘Telekom Srbija’ që të pozicionohet si lider rajonal në fushën e telekomunikacionit. Kemi bërë ofertë dhe aktualisht po shqyrtohet oferta jonë dhe e konkurrentëve tjerë, dhe përveç kësaj nuk mund të japim informata tjera”, kanë thënë nga “Telekom Srbija”, transmeton Koha.net.
Sipas shkrimeve të mediave në Shqipëri, në konkurrencë krahas operatorit serb janë edhe dy komani bullgare, “Vivakom”, në pronësi të Spas Rusevit dhe “Globul Telekom”, një operator tjetër bullgar.
“Cozmote”, pjesë e grupit OTE në Greqi, që zotëron 99.76% të aksioneve të operatorit të dytë më të madh të telefonisë celulare në Shqipëri, Telekom Albania, ka pohuan se ata janë në proces vlerësimi dhe diskutimi me disa palë për shitjen e Telekom Albania, por nuk ka ende asnjë rezultat.
“Bazuar në prioritetet strategjike dhe qëllimet e biznesit, grupi OTE në mënyrë të vazhdueshme rivlerëson asetet e veta, përfshirë ato që kemi në Shqipëri, dhe vlerëson mundësitë e tregut në mënyrë që të krijojë vlerë për aksionerët e vet, të sigurojë qëndrueshmëri dhe të çojë përpara interesat e Grupit dhe njerëzve të tij. Procesi i vlerësimit dhe diskutimet domethënëse me disa palë po vazhdojnë. Ashtu siç është në praktikën tonë të zakonshme, ne do të njoftojmë autoritetet dhe publikun në rast dhe nëse do të kemi ndonjë gjë thelbësore për të njoftuar”, tha në një prononcim të posaçëm, pas kërkesës së “Monitor”, Kostas Kanakaris, menaxher i lartë për marrëdhëniet me mediat dhe komunikimin në ΟΤΕ Group.
Më herët, e kontaktuar zyrtarisht nga “Monitor”, Telekom Albania nuk bëri asnjë koment. “Ne nuk kemi asnjë koment. Kjo është një çështje që i përket aksionerëve”.